BERAT– Kanë përfunduar punimet restauruese të çatisë së kupolës së Kishës së Shën Triadhës në Kalanë e Beratit. DRKK Berat me specialistët e mirëmbajtjes ka ndërhyrë në strukturën e çatisë së këtij monumenti të rëndësishëm i cili daton në fund të shekullit të XIII, fillim të shekullit XIV. Sot (24 qershor) ora 12:00, ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të Kishës së Shën Triadhës, në Berat.

PROJEKTI
Projekti i restaurimit të çatisë ka marrë vendimmarrjet përkatëse në Këshillin Shkencor në Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve në Ministrinë e Kulturës. Pas mëse 36 vjetësh nga ndërhyrja e fundit restauruese (viti 1979) specialistët e DRKK – Berat në bashkëpunim edhe me sektorin antiko-mesjetar në IMK kanë hartuar dokumentacionin teknik të projektit për ndërhyrjen dhe restaurimin e çatisë së monumentit. Si pasojë e tyre në vite ka pasur infiltrim të ujërave sipërfaqësorë në strukturën e kupolës e cila ka sjellë edhe degradim të afreskut në pjesën e brendshme.

Gjithashtu u vunë re degradime të shtresës së elementit lidhës së tullave që dekoronin strehën e kupolës dhe të shtresës origjinale të horosanit. Gjatë procesit të restaurimit u zëvendëtesuan tullat e thyera të strehës së kupolës me tulla të tjera me të njëjtën përbërje dhe përmasë (tulla që gjendeshin në magazinën e DRKK prej kohësh ). Më pas u përgatit një shtresë e re horosani duke përdorur të njëjtat materiale dhe të njëjtën masë përzierje me materialin origjinal. Masës iu shtua edhe sasi e duhur e ujit dhe kjo shtresë u vendos mbi tullat e strukturës mbajtëse të kupolës. Kjo shtresë nuk lejon depërtimin e lagështirës dhe shmang infiltrimin e saj në pjesët e brendshme të kupolës. Pas këtij procesi u bë mbulimi i të gjithë çatisë me tjegulla bizantine të cilësisë së lartë për të cilat u përdor llaç-gëlqere. Paralelisht ka përfunduar hartimi i projektit të konsolidimit të afreskeve në pjesën e kupolës dhe në pjesën rreth tamburit cilindrik.

NË BRENDI
Piktura murale brenda në kishë aktualisht ndodhet e dëmtuar në pjesën më të madhe të saj, por megjithatë ende ruhen disa skena me temë biblike si; rreth tamburit ruhen ende mirë dymbëdhjetë figura profetësh që mbajnë rulot në dorë, disa skena të tjera janë “Ngjallja e Llazarit”, “Darka mistike” si edhe “Larja e këmbëve të apostujve”.

Nga mbishkrimi i ruajtur mbi hyrjen jugore të narteksit del se monumenti është ndërtuar nga themeli në kohën kur sundonte Androniku II Paleolog (1282-1328), pra fundi i shekullit të XIII dhe fillimi i shek. XIV.

Ndërtimi spikat për teknikën e veçantë të aplikuar gjatë periudhës së vonë bizantine me përdorimin e përzierjes së rreshtave të tullave me gurët, duke formuar teknikën mjaft të përhapur të klausonazhit. Kjo teknikë për arsye të angazhimit dhe kostos së lartë nuk zbatohet që në pjesën e poshtme, por në mes të muraturës. Në qendër të kishës ndodhet kupola, e cila në anë të saj ka krahët e kryqit. Po ashtu struktura e narteksit ashtu siç duket është një shtesë e një momenti të dytë. Terreni dhe silueta e tij e bëjnë këtë monument një nga më interesantët dhe më piktoreskët në Kalanë e Beratit.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb