Nga Fatmira Nikolli
Artan Lame, studiues e koleksionist, ish-drejtues i lartë institucionesh publike, është përcjellë sot për në banesën e fundit. Miqtë vlerësuan njeriun e shtetarin ndërsa premtuan plotësimin e amanetit të Lames për muzeun me koleksionet e tij.
I mbuluar me një flamur të vitit 1924, gjetja e tij më e fundit si koleksionist, arkëmorti i Artan Lames u përcoll drejt banesës së fundit, me kërkesë të familjes i mbajtur nga miqtë. Dhjetëra të pranishëm, që kishin ardhur për të bërë homazhe në nder të tij, e shoqëruan me duartrokitje e karafila të bardhë.
Studiues, koleksionist, publicist e shtetar, Lame u shua pak ditë në Gjermani më parë pas një ndërhyrje në zemër. Me një fjalim të ndjerë lamtumire, miku i tij i një jete, Artan Shkreli, e kujtoi përmes bisedash, epitetesh e debatesh.
Ditë më parë Artan Lame u nis drejt Gjermanisë duke marrë me vete plane, ëndrra, dëshira dhe shpresa. As ai, as familja që sonte do të mblidhet në mbrëmje në shtëpi pa të, nuk e dinin se ishte ikje pa kthim. Miqtë, me të cilët nuk kursente shakatë hokatare ndajnë copëza kujtimesh
Lame mbahet mend për punën kolosale në përcaktimin e zonave të mbrojtura në qytetet shqiptare, zonifikime që ende sot, kanë ruajtur identitete arkitekture e historike. Ai mbahet mend për idiolektin e veçantë, kudjesin ndaj uniformave, medaljeve, kartmonedhave, armëve, veshjeve, vulave, simboleve, flamujve e stemave. Qëmtuesi i historisë ne arkiva e në publicistikë, ai lë pas një plan që sot, kthehte në barrën e një amaneti, ndërsa titullarë ministrish tregojnë përvojat me të.
Nga Ministria e Kulturës, te bashkia e Tiranës, nga Forumi i Trashëgimisë te Aluizni a Kadastra, Lamja, barti me vete stilin e Faik Konicës, që me të huajt hahej për të mbrojtur Shqipërinë e me shqiptarët për të përmirësuar atë. Nëse iku i pakuptuar, i mënjanuar, dhe me një barrë pengjesh, amanetet do i gjejmë në postimet e gjata ku Shqipëria e harruar ngre krye ndërsa pas një karrigeje të drunjtë të Vrana Kontit buzëqeshja ironike do të na kujtojë se na e pati thënë.
(BalkanWeb)
