TIRANE – Kompania Shell vijon kërkimet e naftës në Shpirag, duke i hapur rrugën investimeve të mëdha në këtë zonë. Kompania ka nisur sot shpimin në pusin Shpiragu 3. Vlera e investimit të parashikuar kap shumën 72 milionë euro.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama i cili e cilësoi marrëveshjen me Shell si një pakt në harmonizim të plotë të interesave.
“Falënderoj kompaninë Shell për një përputhje ekzemplare mes fjalës dhe veprës. Mes gjithçka me pasion Shell propagandon për profilin e vet social dhe gjithçkaje që ne vetë kemi patur mundësinë të provojmë gjatë hartimit të marrëveshjes. Nuk ka qenë një marrëveshje e lehte, por e vërteta është se deri në fund ka qëndruar në një tavolinë për të lidhur një marrëveshje në harmonizim të plotë të interesave”- deklaroi kryeministri.
Duke risjellë në vëmendje suksesin e reformës në sistemin energjetik, kryeministri Rama theksoi se “me këto reforma dhe këto investime po ndërtojmë Shqipërinë e gjeneratës tjetër”.
GJIKNURI: INVESTIMI NË RRITJE, SINJAL POZITIV
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ishte i pranishëm në ceremoninë e nisjes së shpimit në pusin Shpirag 3 nga kompania prestigjoze SHELL. Shpimi i pusit të ri, Shpiragu-3, do të realizohet me sondën e instaluar të kompanisë kineze Hi Long. Pusi do të jetë i thellë dhe për shkak të komplikacioneve gjeologjike që paraqet zona, do të zgjasë më shumë se një vit (437 ditë) dhe kostoja e tij është parashikuar të shkojë rreth 72 milion USD.
SHELL është në fazën e kërkimit në blloqet 2 dhe 3. Kompania ka përmbushur me sukses të gjitha detyrimet e parashikuara nga marrëveshja. Ka kryer ripërpunimin e sizmikës ekzistuese, ka kryer një volum prej 550 km profile të reja sizmike si dhe shpoi pusin Shpiragu-2. Në përfundim të shpimit dhe testimit të pusit, kompania deklaroi, në datë 4 Nëntor 2013, se ka bërë një zbulim në pusin Shpiragu-2. Ky pus dha naftë me cilësi shumë të mira fizike dhe një debit 800-1300 fuçi/ditë ndërsa 45,000-50,000 m3/ditë gas shoqërues dhe përmbajtje të ulët H2S.
SHELL, gjithashtu ka realizuar edhe shpimin e pusit Molishti-1, i cili dha informacion në lidhje me zhvillimin strukturor të brezit të Beratit si dhe rriti perspektivën e zonës, përsa i përket naftëgazmbajtjes më në jug të Shpiragut-2. Punimet sizmike të kryera në këto blloqe dhe interpretimi i tyre gjeologjik kanë hedhur dritë dhe e kanë shtuar perspektivën e zonës edhe më në jug të pusit të Molishtit. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, investimet e kryera deri tani në kuadër të kësaj marrëveshje hidrokarbure arrijnë në rreth 270 milion USD.
Pas deklarimit të zbulimit, kompania paraqiti një Plan-Vlerësimi i cili ka si objektiv të provojë komercialitetin zbulimit të deklaruar në pusin Shpiragu-2. Ky Plan Vlerësimi vazhdon të zbatohet nga kompania edhe sot. Në kuadër të këtij Plani, kompania do të shpojë disa puse, ku një ndër ta është edhe shpimi i pusit Shpiragu-3, për të cilin u zhvillua sot ceremonia e nisjes së punës.
Fjala e mbajtur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri në këtë ceremoni:
Mirëdita të gjithëve, Kam kënaqësinë të jem sot këtu, në këtë investim mjaft të rëndësishëm. Kjo që shihni këtu është një nga platformat, një nga sondat më të mëdha në botë, që shpon më thellë. Është një risi për Shqipërinë që një sondë e tillë vjen nëpërmjet kompanisë Shell, e cila tashmë zotëron të gjithë të drejtat operacionale në këto blloqe dhe që realisht ka zbuluar naftë. Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, por është një lajm i mirë edhe për vet kompaninë. Mbi të gjitha për të gjithë industrinë e naftës këtu, pasi mendohet që nafta e zbuluar është jo vetëm nga cilësitë më të mira, por në fazën që jemi, që kompania SHELL po bën vlerësimin e rezervuarit, ne do shpresojmë që këto burime nafte dhe gazi do të jenë jashtëzakonisht të mëdha. Do të plotësojnë nevojat e vendit, edhe eksportin do ta rrisin shumë në këtë drejtim.
Realisht është një nga investimet më serioze dhe unë falenderoj kompaninë SHELL që edhe në momentet më të vështira të industrisë së naftës, në momentet kur çmimet e naftës kanë rënë, programi për Shqipërinë nuk u ndërpre. Ka qenë një buxhet prej 400 milion dollarësh, i cili do të investohet në vitet në vijim. Megjithëse SHELL ndërpreu shumë programe në vende të tjera të botës, programin në Shqipëri e vazhdoi. Kjo tregon që interesi këtu është i madh. Nga ana tjetër është një lajm shumë i mirë edhe për ne sepse investimet do të vazhdojnë. Mbi të gjitha tregon që aty ku është SHELL, pritshmëria për naftë është
shumë e lartë. Kjo realisht e ka kthyer Shqipërinë në një qendër të interesit përsa i përket operacioneve hidrokarbure dhe interesi është rritur.
Ndërkohë, dua të them që po negociojmë me SHELL-in edhe kontratën e re. Dua të falënderoj kompaninë për bashkëpunimin, që ka pranuar kushte të reja shumë më të mira se kontratat e mëparshme. Duke aplikuar filozofinë tonë që të garantojmë disa të drejta më të mira për shtetin, pra që pasuritë hidrokarbure të shkojnë dhe të ndahen në mënyrë shumë të drejtë. Dua ta falenderoj për bashkëpunimin që na bën të mundur të vëmë për herë të parë një tavan për shpenzimet, duke krijuar garanci që qeveria shqiptare dhe shteti shqiptar të marrë të ardhura që në fuqinë e parë të naftës dhe jo siç ka ndodhur deri tani, që kalonin shumë vite dhe përveç rentës shteti shqiptar merrte shumë pak.
Edhe kjo gjë është një lajm i mirë, që duhet ta mësojnë qytetarët dhe kjo vjen falë bashkëpunimit shumë të mirë që kemi gjetur me SHELL-in. Shumë shpejt do të kalojmë edhe ligjin e ri hidrokarbur, ku do të japim garanci më të mëdha për investitorët. Realisht, industria e naftës, megjithëse në kushte të vështira, në Shqipëri ka filluar të hyjë në një rrugë të qëndrueshme. Siç po vijnë edhe kompani të tjera, nisur nga interesi SHELL-it, nuk dua ta fsheh, interesi është rritur për shumë kompani të tjera të mëdha. Prania e SHELL-it patjetër është si ato pëllumbeshat që sjell lajme të mira për gjithë industrinë, sepse SHELL është një nga kompanitë më të mëdha në botë. Patjetër do të ftojë simotrat e saj që të investojnë në Shqipëri. Shembulli juaj është shembull edhe për të tjerët.
Unë dua t’ju uroj sukses. Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe agjencitë e saj do të jenë mbështetje që ky projekt të shkojë sa më mirë dhe shpresojmë që vitin tjetër, kur të mbarojë shpimi i këtij pusi, ne të kemi rezultate po aq të mira, sa shpimi i pusit të parë.
Suksese dhe uroj që kjo ceremoni të shkojë sa më mirë.
KOMPANIA SHELL
Kompania prestigjoze e naftës SHELL është në fazën e kërkimit në blloqet 2 dhe 3. Kompania ka përmbushur me sukses të gjitha detyrimet e parashikuara nga marrëveshja, ajo kryer ripërpunimin e sizmikës ekzistuese, ka kryer një volum prej 550 km profile të reja sizmike si dhe shpoi pusin Shpiragu-2. Në përfundim të shpimit dhe testimit të pusit, kompania deklaroi, në datë 4 Nëntor 2013, se ka bërë një zbulim në pusin Shpiragu-2. Ky pus dha naftë me cilësi shumë të mira fizike dhe një debit 800-1300 fuçi/ditë ndërsa 45,000-50,000 m3/ditë gas shoqërues dhe përmbajtje të ulët H2S.
Kompania SHELL, gjithashtu ka realizuar edhe shpimin e pusit Molishti-1, i cili dha informacion në lidhje me zhvillimin strukturor të brezit të Beratit si dhe rriti perspektivën e zonës, përsa i përket naftëgazmbajtjes më në jug të Shpiragut-2. Punimet sizmike të kryera në këto blloqe dhe interpretimi i tyre gjeologjik kanë hedhur dritë dhe e kanë shtuar perspektivën e zonës edhe më në jug të pusit të Molishtit.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, investimet e kryera deri tani në kuadër të kësaj marrëveshje arrijnë në rreth 270 milion USD.
Pas deklarimit të zbulimit, kompania paraqiti një Plan-Vlerësimi i cili ka si objektiv të provojë komercialitetin zbulimit të deklaruar në pusin Shpiragu-2. Ky Plan Vlerësimi vazhdon të zbatohet nga kompania edhe sot. Në kuadër të këtij Plani, kompania do të shpojë disa puse, ku një ndër ta është edhe shpimi i pusit Shpiragu-3, fillimi i procesit të të cilit bëhet përmes ceremonisë së sotme. Shpimi i pusit të ri, Shpiragu-3, do të realizohet me sondën e instaluar të kompanisë kineze Hi Long. Pusi do të jetë i thellë dhe për shkak të komplikacioneve gjeologjike që paraqet zona, do të zgjasë më shumë se një vit (437 ditë) dhe kostoja e tij është parashikuar të shkojë rreth 72 milion USD.
(er.nu/el.sp/BalkanWeb)
