Në qytetin Xi’an, një nga qendrat historike të Kinës dhe pika e nisjes së lashtë të Rrugës së Mëndafshit, u zhvillua Ekspozita e Nëntë Ndërkombëtare e Rrugës së Mëndafshit dhe Forumi i SCO për Uljen e Varfërisë dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë shtetërorë dhe organizatave ndërkombëtare nga e gjithë bota.

Në ceremoninë e hapjes, autoritetet kineze theksuan rolin e provincës Shaanxi si një pikë kyçe për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, diplomatik dhe teknologjik midis Kinës dhe vendeve partnere përgjatë nismës “Brezi dhe Rruga”.
Guvernatori i Shaanxit, Zhao Gang, deklaroi se ekspozita është kthyer në një platformë të rëndësishme për ndërveprim ekonomik dhe politik, duke promovuar një mjedis të hapur dhe bashkëpunues ndërmjet vendeve të ndryshme.

“Këtë vit, ekspozita synon të thellojë integrimin industrial dhe lidhjet tregtare midis lindjes dhe perëndimit të Kinës, por gjithashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë,” tha Guvernatori Zhao, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të qëndrueshëm, shkëmbimit teknologjik dhe bashkëpunimit në fusha si bujqësia, arsimi dhe mbrojtja e mjedisit.

Eventi përkon me Vitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të shpallur nga Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO) për vitin 2025, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të politikave për reduktimin e varfërisë dhe rritjen e kapaciteteve ndërkombëtare në zhvillim të qëndrueshëm.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve nga rajone dhe vende të ndryshme, përfshirë përfaqësues të nivelit të lartë nga organizata ndërkombëtare, shtete të Azisë Qendrore, Evropës dhe Lindjes së Mesme, tregoi angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të lidhur, më të qëndrueshme dhe më bashkëpunuese.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb