Pas një heshtjeje që zgjati më shumë seç ishte parashikuar, Partizani duket se është pranë një afrimi me shumë vlerë në skuadër. Çështja e golave është problemi kryesor aktualisht te “Demat” dhe për ta zgjidhur këtë drejtuesit kanë zgjedhur sulmuesin e Burrelit, Florenc Farruku.
NEGOCIATAT – Pas largimeve të pritshme të Eleke, Vujnoviç dhe Podstrelov, te 17 herë kampionët duhen me patjetër konkurrentë për majën e sulmit dhe 15 golat e shënuar në Kategorinë e Parë e kanë bindur klubin e kuq për ta afruar matjanin. Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se Partizani dhe Farruku janë në bisedime të avancuara për transferimin në kryeqytet dhe gjithçka duket mjaft pranë.
RIVALITETI – Partizani për 23-vjeçarin ka një konkurrencë mjaft të ashpër me klube si Egnatia apo Tirana, por duket se projekti i “Demave”, si dhe garancia më e madhe financiare dhe sportive ka qenë ajo që ka bindur lojtarin. Ka një akord paraprak mes palëve, që është planifikuar të zyrtarizohet në letra. Sipas informacioneve, Farruku është lojtar i lirë, çka e bën operacionin shumë më të thjeshtë se në kushte të tjera.
KARRIERA – Farruku është një djalë i lindur në Mat, që gjithë karrierën e tij të deritanishme e ka kaluar në klubin e vendlindjes, Burrelin. Sezoni i fundit është më i miri në karrierën e tij dhe duket se ka rezultuar edhe si një pasaportë për të zbarkuar në Superiore, liga më e madhe në vendin tonë. Për majën e sulmit, Farruku do të duhet “të luftojë” me Kekon, por me shumë mundësi edhe me Bintsukën, nëse kongolezi do t’i thotë “po” ofertës së rinovimit.
