Me halle e probleme, Partizani e mbylli këtë sezon dhe arriti të kualifikohej në Ligën e Konferencës, ku do të nisë aventurën në korrik dhe do të synojë të kalojë sa më shumë ture. Por objektivat vendosen edhe nga organika dhe kjo na shtyn të shohim se çfarë ka Partizani në skuadër aktualisht dhe çfarë do t’i duhet në vijim të kësaj merkatoje.

Fakti është se të kuqtë kanë nevojë urgjente për ndërhyrje, teksa deri më tani nuk është konfirmuar afrimi i askujt.

MBROJTJA – Reparti difensiv përmban në organikën e vet lojtarë relativisht të mirë, por as këtu nuk mungojnë problemet dhe boshllëqet. Telashi kryesor duket se është në të djathtë të mbrojtjes, aty ku nuk ka asnjë lojtar roli pas largimit të Osmanllarit. Është folur për rikthimin e Henri Zunës, por nuk dihet kontrata që mbrojtësi ka me të kuqtë, teksa, edhe nëse qëndron, pritet të jetë vetëm një opsion dhe të llogaritet si titullar. Pjesa tjetër e difensivës pritet të jetë kjo aktualja, me ndonjë afrim të mundshëm në rast se Sembene “instalohet” si mesfushor difensiv.

MESFUSHA – Edhe në këtë repart nuk mungojnë emrat, por me Gegën duket se vetëm tre e kanë të sigurt qëndrimin. Ata janë Shala, Jata dhe Kote, teksa emra si Mehmeti, Shanaj apo Ismaili mund të largohen ose të përdoren si alternativa në stol. Plani është që në këtë repart të ketë edhe të paktën një afrim të standardit të lartë.

SULMI – Ofensiva ka plot dilema dhe probleme. Nga e djathta opsioni i vetëm është Zeka, që gjithsesi nuk është preferuar shumë nga trajneri Gega. Në qendër emri i vetëm i sigurt është Keko, teksa do të duhet të presim për qëndrimin ose jo të Bintsukës, që po negocion rinovimin. Vujnoviç do të largohet ose do të qëndrojë në tribunë. Nga e majta në skuadrën aktuale opsione janë Gudjufi dhe Podstrelov, por të dy janë në listën e largimeve të mundshme, çka bën që sulmi të ketë nevojë për afrime në të gjitha pozicionet e tij.

CILËSIA – Partizani aktual nuk ka cilësi dhe kjo mund të shihet edhe në formacionin përbri shkrimit. Ky ekip është i përbërë me lojtarë jo të spikatur dhe jo në nivelin për të luftuar rivalët e renditur më lart në Superiore, aq më pak kundërshtarët e huaj me më shumë forcë. E vetmja e panjohur për momentin mbetet Herolind Shala, i ardhur vetëm pak javë para fundit të sezonit.

LARGIMET – Deri më tani te Partizani janë konfirmuar largimet e Taipit, Osmanllarit, Domgjonit, Elekes dhe Mintongos, teksa edhe të tjerë më shumë mundësi do të ndjekin rrugën e tyre. Kjo do ta zvogëlonte skuadrën e Gegës, por edhe do të hapte vend për afrime të tjera, që duket se po vonojnë, por nuk pritet të mungojnë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb