Këshilli Evropian (KE) ka miratuar akte ligjore që heqin të gjitha masat kufizuese ekonomike ndaj Sirisë, me përjashtim të atyre të bazuara në arsye sigurie.

“Miratimi zyrtarizon vendimin politik të shpallur më 20 maj 2025 dhe synon të mbështesë popullin sirian në ribashkimin dhe rindërtimin e një Sirie të re, gjithëpërfshirëse, pluraliste dhe paqësore”, tha Këshilli.

Si pjesë e të njëjtës qasje, KE ka hequr gjithashtu 24 subjekte nga lista e BE-së e atyre që i nënshtrohen ngrirjes së fondeve dhe burimeve ekonomike. Disa nga këto subjekte janë banka, përfshirë Bankën Qendrore të Sirisë, ose kompani që operojnë në sektorë kyç për rimëkëmbjen ekonomike të Sirisë – siç janë prodhimi dhe rafinimi i naftës, pambuku dhe telekomunikacioni, ndërsa të tjerat janë media dhe televizione.

“Ky vendim është thjesht gjëja e duhur për t’u bërë, në këtë kohë historike, që BE-ja të mbështesë sinqerisht rimëkëmbjen e Sirisë dhe një tranzicion politik që përmbush aspiratat e të gjithë sirianëve. BE-ja ka qëndruar me popullin sirian gjatë 14 viteve të fundit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Sot BE-ja riafirmon angazhimin e saj si partner për tranzicionin, një tranzicion që ndihmon popullin sirian të ribashkohet dhe të rindërtojë një Siri të re, gjithëpërfshirëse dhe paqësore”, tha Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Presidente e Këshillit të Punëve të Jashtme.

Në përputhje me thirrjen e tij për llogaridhënie dhe mbështetjen e tij për një tranzicion paqësor, Këshilli Evropian ka zgjatur listat e individëve dhe subjekteve të lidhura me regjimin e Asadit deri më 1 qershor 2026.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb