Në vijim të dëshmisë së tij në dosjen “Plumbi i Artë”, Erion Alibej ka rrëfyer para Gjykatës së Posaçme historinë e jetës së tij dhe lidhjet me vëllain e ndjerë, Endrit Dylgjeri (Alibej), një emër i njohur në trafikun ndërkombëtar të drogës. Ai foli për origjinën, përfshirjen e vëllait në aktivitet të paligjshëm dhe për marrëdhëniet me figura të tjera të krimit si Suel Çela, Hajdar dhe Klodian Çopja, apo Arjan Spahiu.

“Babai më ka lënë të vogël, kemi qenë një familje e respektuar në qytet. Vëllai emigroi fillimisht në Greqi, pastaj në Itali e më pas në Holandë. Prej vitit 2006 ai u përfshi në trafik droge. Unë u mora me nënën dhe nuk u përfshiva kurrë,” tha Alibej.

Ai tregoi se në vitin 2010, u arrestua në Itali pasi kishte shkuar për të marrë ilaçe për nënën. Pavarësisht se nuk ishte pjesë e organizatës së vëllait, u dënua me 3 vjet e 4 muaj burg. Pas lirimit, vëllai e çoi në Holandë ku ai u njoh edhe me Hajdar Çopjen.

“Endriti kishte shumë lidhje në Europë. Ishte emër i njohur në trafikun e drogës me rrjete në Angli, Itali, Belgjikë. Të gjithë donin të punonin me të,” shtoi ai.

Alibej tha se për shkak të problemeve të vëllait në Angli, i kishte propozuar të shkonte vetë, por Endriti nuk pranoi. Pak para kthimit në Shqipëri, ai përmendi përçarjet me Suel Çelën për shkak të Arjan Spahiut dhe një borxhi për drogë që solli përplasje fizike.

Në dëshminë e tij, Alibej përshkroi edhe vjedhjen e 2 kg kokainë nga baza e Hajdar Çopjes nga ana e Klodian Çopjes dhe Suel Çelës, ngjarje që solli prishjen e lidhjeve mes tyre.

Më tej, ai tregoi se Suel Çela e kishte kërkuar ndihmën e Arjan Spahiut për të ikur nga arresti i shtëpisë dhe kishte kaluar nga Spanja në Itali. Më pas, ata u grindën për një borxh dhe Alibej zgjodhi të mos u fliste më.

“Gjatë kësaj kohe, Sueli më erdhi në shtëpi bashkë me Sokol Sanxhaktarin. Ishte periudha kur vëllai më kërkoi të takoja Suelin për të testuar cilësinë e një sasie kokaine,” deklaroi ai.

Në lidhje me përfshirjen e tij personale në veprimtari kriminale, Alibej theksoi: “Unë nuk jam marrë kurrë me drogë, por gjithmonë e kam mbështetur vëllain. Më pas, për shkak të vështirësive të tij ekonomike, shkova në Angli në vitin 2016 për të ndihmuar. Nuk gjeta shtëpi, por kisha mundësi të shisja drogë. Hajdar Çopja asokohe jetonte në Holandë dhe ua çonte drogën shpërndarësve në Gjermani me kuaj.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb