Te Partizani janë bindur të gjithë tashmë se skuadra ka nevojë për ndryshime rrënjësore dhe kanë nisur me largimet.PartizaniTë kuqtë vendosën të mos i rinovojnë kontratën Taipit, Domgjonit dhe Elekes e gjithashtu të mos blejnë kartonin e Mintongos. Nga ana tjetër, Anteo Osmanllari vendosi të ndahet me klubin pas një sezoni zhgënjyes me shumë pak minuta. Por as pesë largime nuk mjaftojnë dhe të tjera duket se janë në përgatitje e sipër.
VËSHTIRËSITË – Pjesa tjetër e futbollistëve janë nën kontratë dhe kjo ua bën të vështirë drejtuesve që të operojnë me largimet e tyre, pasi financat hyjnë në mes. “Panorama Sport” mëson se e tillë është situata me Podstrelov dhe Vujnoviç. Të dyve u është komunikuar nga klubi vendimi për të mbyllur bashkëpunimin, por ky proces po zgjat më shumë seç ishte parashikuar në fillim.
“LUFTË” MILIONASH – Vujnoviç dhe Podstrelov janë dy nga lojtarët me pagat më të larta te Partizani dhe kjo e bën ndarjen disi më të vështirë. Të dy kanë edhe nga një vit kontratë dhe pikërisht këtë ata po e shfrytëzojnë për të negociuar me klubin marrjen e sa më shumë pagave shtesë. Dy pagat e tyre mujore së bashku shkojnë rreth 15 milionë lekë të vjetër, me lojtarët që kërkojnë shlyerjen e të gjitha detyrimeve aktuale, por edhe 2 apo tri paga shtesë. Në kushtin e fundit, klubi po heziton dhe palët po bëjnë një “luftë të ftohtë” në distancë.
SITUATA – Asnjëri nga lojtarët nuk është kthyer në Tiranë për t’u stërvitur me ekipin. I vetmi nga ata pa kontratë që ndodhet në ambientet e hotelit të klubit, është Eleke, i cili pret vetëm mbylljen e dokumentacionit për t’u larguar më pas nga vendi ynë. Me ikjen e Podstrelov dhe Vujnoviç, te “Demat” pritet t’u hapet rrugë afrimeve, ku deri më tani emri i vetëm që duket afër, është Florenc Farruku. Gjithsesi, në ditët në vijim, në klubin e kuq pritet të dalin edhe emra të tjerë, që synohet të rrisin cilësinë e ekipit për ndeshjet e Ligës së Konferencës.
