Një ngjarje tragjike ka ndodhur paraditen e sotme në Durrës ku një turist i huaj u gjet i mbytur në det ndërsa vajza që e shoqëronte është në gjendje kritike për jetën.

Ka qenë patrulla e policisë kufitare të portit të Durrësit e cila teksa ka bërë me skaf patrullimin rutinë, ka konstatuar çiftin në det dhe ka ndërhyrë menjëherë për transportimin e tyre drejt bregut.

Bëhet fjalë për dy shtetas nga Gana me banim në Angli, një vajzë dhe një djalë. Ky i fundit u gjet i vdekur, ndërsa vajza, rreth të 30-ve, u transportua me ambulancë në spital, në gjendje shoku.

Personat nuk kishin mjete identifikuese, teksa kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Njoftim i Policisë:

Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 11:15, të datës 01.06.2025, shërbimet e Policisë Kufitare Port Durrës janë njoftuar se, në zonën përballë Shkëmbit të Kavajës, dy shtetas që lundronin me një mjet lundrues Jet Ski, dyshohet se gjatë manovrave kanë humbur kontrollin mbi mjetin lundrues dhe kanë rënë në ujë.

Shërbimet e Policisë Kufitare, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar me mjet lundrues menjëherë në ndihmë të dy shtetasve që kishin rënë në ujë, duke bërë transportimin e tyre për në port, me qëllim transportimin drejt spitalit. Nga verifikimet paraprake të ekipit të urgjencës së spitalit, që ishte në pritje në port, rezultoi se njëri prej shtetasve që lundronin me Jet Ski, konkretisht shtetasi S. O., 34 vjeç, banues në Angli, kishte humbur jetën, ndërsa shtetasja V. B., 31 vjeçe, banuese në Angli, u transportua menjëherë për në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb