Viti i ri akademik vjen me një risi të shkëlqyer te Universiteti “Luarasi”. Për herë të parë një universitet shqiptar do të zhvillojë tre programe të përbashkëta studimi me Universitetin prestigjioz britanik, London School of Economics. Teksa ndodhemi në muajin qershor, pritet që brenda disa javëve Ministria e Arsimit të miratojë udhëzimin për regjistrimin e studentëve në universitete.

Agim Alia, drejtues i zyrës së çështjeve ligjore në Universitetin “Luarasi” shpjegoi në studion e News24 kriteret që kërkohen për maturantët të cilët duan të aplikojnë për të studiuar në Menaxhim Biznesi, Financë dhe Inovacion e Teknologji Informacioni, tre programet që ofrojnë diplomën e përbashkët me Universitetin e Londrës.

Afati për aplikimet, tha Alia, është 13 gusht deri në 13 shtator. Studentët do të asistohen në muajin shtator për të aplikuar në LSE, ndërsa në muajin tetor është periudha e regjistrimit në Universitetin e Londrës.

Sa i takon kushteve, drejtuesi i zyrës së çështjeve ligjore në Universitetin “Luarasi” tha se Universiteti i Londrës ka kritere bazë gjuhën angleze dhe mesataren mbi 8 në lëndët e matematikës, anglishtes dhe fizikës e tre viteve të gjimnazit dhe maturës shtetërore.

Ndërsa Geron Kamberi – Drejtues i zyrës së kërkimit shkencor tha se prindërit dhe studentët mund të marrin informacionin e duhur te Universiteti “Luarasi” ose në faqen e internetit të dedikuar ku ofrohen të dhëna të plota lidhur me këto programe.

Agim Alia – Drejtues i zyrës së çështjeve ligjore te Universiteti Luarasi: Maturantët që do të zgjedhin këto tre programe studimi, duhet që në periudhën 13 gusht – 13 shtator të vijnë dhe të regjistrohen në Universitetin Luarasi. 2 etapet e tjera lidhen me procesin e aplikimit dhe regjistrimin në Universitetin e Londrës. Për këto 2 etapa, do të kenë mbështetjen e një grupi teknik që do t’i ndihmojë. Në shtator do të kryhet procesi i aplikimit në Universitetin e Londrës dhe në muajin tetor do të kenë procesin e regjistrimit. Ajo që ofrohet në këto tre programe është i njëjtë si nga ana procedura ashtu edhe ana akademike njësoj si në Universitetin e Londrës. Kriter është gjuha angleze, të tre programet do të zhvillohen në gjuhën angleze, kërkohet një nivel i anglishtes që i përputhet testeve ndërkombëtare mbi 6.5 ose teste të tjera të njohura ndërkombëtarisht të vendosura në diskrecion nga Universiteti i Londrës. Një element tjetër është niveli i matematikës, duhet që studentët të cilët do të jenë pjesë e këtyre programeve ta përmbushin këtë kriter. Sa i takon kriterit të përgjithshëm nota mesatare është mbi 8. Në lëndë specifike për 2 programet ofruara nga Fakulteti Ekonomik të jetë në matematikë, gjuhë të huaja dhe ekonomi mesatarja e 3 viteve mbi 8 dhe për programin Data Science e Business Analitycs ku kërkohet që matematika dhe fizika bashkë me gjuhën e huaj të jenë mbi 8. Kjo është për aplikimin dhe pastaj studentët pranohen nga Universiteti i Londrës dhe bëhen pjesë e popullatës prej 50 mijë studentë. Në përfundim të këtyre programeve të studimit, studentët tanë do të pajisen me një diplomë të njohur ndërkombëtarisht dhe do të kenë vlerë të njëjtë ligjore. Dhe ceremonia e diplomimit dhe marrja e diplomës, që është ceremonia zyrtare, mund të bëhet në kampusin e Universitetit të Londrës.

Ola Bruko: Pranimi i maturantëve që nesër do të jenë studentë bëhet nga ju apo nga Universiteti i Londrës?

Agim Alia – Drejtues i zyrës së çështjeve ligjore: Përzgjedhja bëhet nga Universiteti i Londrës në bazë të kritereve specifike që ata kanë vendosur.

Ola Bruko: Ishte e vështirë përshtatja e atij programi në Shqipëri?

Agim Alia: Ka qenë një proces që ka ndodhur për shumë vite. Hapi i parë ka qenë marrja e licencës nga universiteti i Londrës për ta patur të drejtën e një qendre nga ana e tyre për mësimdhënie. Ka patur kritere shumë të rrepta dhe specifike që kanë të bëjnë me plotësimin e shumë kritereve që janë të njohura jo vetëm për Luarasin por për 120 qendrat në botë. Pasnjë punë disa vjeçare kjo u bë e mundur dhe u konkretizua nga urdhrat e hapjes të firmosur nga Ministria e Arsimit.

Geron Kamberi – Drejtues i zyrës së kërkimit shkencor: Për herë të parë në Shqipëri janë tre programe studimi në tre degë të cilat mirëpriten në tregun e punës jo vetëm lokal, por edhe global. Kjo është mundësi unike. Çdo prind ka një mundësi unike që të shkollojë fëmijën me kosto tre herë më të lirë se të shkollohesh në një mjedis britanik dhe me vlerën e një diplome të cilës nuk i mungon asgjë. Ne kemi vazhduar deri në momentin që do të hapet portali dhe maturantët do të zgjedhin degët e tyre të studimit. Ne kemi një faqen të dedikuar interneti që ofron të dhëna të plota lidhur me këto programe, numrat e kontaktit dhe janë të mirëpritur në ambientet e Universitetit, të marrin informacione të drejtpërdrejta.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb