Shtëpia e Bardhë tha të hënën se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i hapur për t’u ulur me homologët e tij rusë dhe ukrainas në Turqi , si pjesë e një iniciative më të gjerë për t’i dhënë fund luftës së Kremlinit ndaj fqinjit të saj në Evropën Lindore .

“Presidenti ka thënë se është i hapur për këtë nëse vjen puna deri në këtë pikë, por ai dëshiron që të dy udhëheqësit dhe të dyja palët të ulen së bashku në tryezë”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt .

Komentet vijnë pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, më herët të hënën ofroi të mbante një samit ku do të merrte pjesë ai vetë dhe udhëheqësit e tre kombeve.

Duke folur pas një mbledhjeje të kabinetit, Erdogan tha se “dëshira e tij më e madhe” është që të sjellë presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky së bashku në Stamboll ose Ankara. “Do të doja madje të sillja edhe Presidentin amerikan Donald Trump”, tha ai, ndërsa delegacionet ruse dhe ukrainase u takuan në Stamboll për një raund të dytë negociatash.

“Ishte vërtet një takim madhështor. Si rezultat i këtij takimi, megjithëse kishte pasur shkëmbime të të burgosurve më parë, këtë herë numri i shkëmbimeve të të burgosurve tejkaloi një mijë. Përtej tejkalimit të një mijë, pati edhe kthimin e disa trupave nga Rusia dhe Ukraina jashtë këtij shkëmbimi të të burgosurve. Edhe këto shifra janë shumë të mëdha. Jemi vërtet krenarë për këtë”, tha Erdogan.

Erdogan tha se në rast se udhëheqësit do të takohen në Turqi, ai “do të takohet edhe me ta në këtë takim në mënyrë që ta shndërrojmë Stambollin në një qendër paqeje”.

 

(A.A/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb