Një sulm tronditës me sfond urrejtjeje ka ndodhur në shtetin amerikan të Kolorados, ku një burrë 45-vjeçar me origjinë egjiptiane, Mohammed Sabry Soliman, u arrestua pasi dyshohet se ka hedhur kokteje molotov ndaj një grupi demonstruesish pro-Izraelit në qytetin Boulder.
Ngjarja ndodhi të dielën, gjatë një proteste paqësore të organizuar nga grupi “Run for Their Lives”, që synon të ndërgjegjësojë opinionin publik mbi pengjet izraelite të mbajtura në Gaza. Sipas autoriteteve, Soliman, i veshur si një punëtor kopshti me një jelek portokalli, u afrua me qëllim drejt turmës dhe lëshoi dy mjete ndezëse, duke thirrur “Palestina e lirë”. Si pasojë, tetë persona u plagosën, shumica duke pësuar djegie, ndërsa gjithsej dymbëdhjetë persona u dërguan në spital – përfshirë një të mbijetuar të Holokaustit, Rabinin Israel Uilhelm, i cili është edhe drejtori i qendrës Chabad në Universitetin e Kolorados në Boulder.
Hetuesit zbuluan pranë vendit të ngjarjes edhe 16 kokteje molotov të paaktivizuara, ndërsa dokumentet gjyqësore zbulojnë se Soliman e kishte planifikuar sulmin për më shumë se një vit. Ai kishte pritur të vepronte pas diplomimit të vajzës së tij nga shkolla e mesme dhe kishte studiuar përgatitjen e koktejeve molotov përmes videove në internet. Për shkak të statusit të tij të imigracionit, ai nuk kishte mundur të sigurojë armë zjarri, ndaj kishte zgjedhur mjetet shpërthyese si alternativë.
Në intervistën pas arrestimit, Soliman pranoi hapur motivet e tij, duke deklaruar se donte të “vriste të gjithë sionistët” dhe se nuk do të hezitonte të kryente të njëjtin akt përsëri. Ai e justifikoi sulmin si reagim ndaj ‘pushtimit të tokës palestineze’. Gjithashtu, kishte lënë iPhone-in e tij në shtëpi me mesazhe lamtumire për familjen e tij, të cilin më pas bashkëshortja e dorëzoi tek autoritetet.
Soliman, i cili jetonte në Colorado Springs dhe më parë kishte jetuar për 17 vjet në Kuvajt, u paraqit në gjykatë të hënën përmes një video-lidhjeje nga burgu i qarkut Boulder. Ai qëndroi për pak minuta para gjykatësit, pa dhënë ndonjë deklaratë përveç disa përgjigjeve të shkurtra procedurale. Seanca e radhës është caktuar për të enjten, ku do të bëhet zyrtarizimi i akuzave. Ndaj tij rëndojnë akuza të shumta, përfshirë tentativë vrasjeje, sulm me pajisje shpërthyese dhe krim të urrejtjes me motiv racor ose fetar.
Autoritetet thonë se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë paralajmërim të mëparshëm që ai paraqiste rrezik për sigurinë publike, dhe besojnë se ai ka vepruar i vetëm./BBC/
