Më shumë se 43 njerëz u vranë pasi persona të armatosur nisën sulme ndaj komuniteteve lokale në shtetin Benue të Nigerisë, raportuan mediat lokale të martën.
Sulmet ndodhën të dielën vonë dhe të hënën në mëngjes në zonat Gwer West dhe Apa, ku persona të armatosur, disa prej të cilëve me hanxharë në dorë, shënjestruan banorët në incidente të ndryshme, raportoi Agjencia Zyrtare e Lajmeve të Nigerisë, duke cituar “burime të besueshme”.
Të paktën 25 persona u konfirmuan të vdekur në Apa, ndërsa mbi 18 trupa u gjetën në Gwer West të hënën, sipas Daniel Abomtse, një udhëheqës fisnor në rajon.
“Sulmuesit erdhën në stilin gueril”, tha Abomtse, duke vënë në dukje se shumë njerëz pësuan lëndime të shkallëve të ndryshme. “Mënyra se si u masakruan disa njerëz, dyshoj nëse do të mbijetojnë.”
Ai tha se ekipet e shpëtimit ishin vendosur për të kontrolluar shkurret aty pranë për të mbijetuarit që ikën gjatë sulmeve.
Edith Udeme, zëdhënëse e policisë në Benue, konfirmoi sulmet në një konferencë për shtyp të martën në mëngjes, duke i identifikuar sulmuesit si “barinj të dyshuar”, duke shtuar se policia kishte gjetur disa trupa dhe ishte bashkuar në kërkim të viktimave të tjera.
Shteti Benue, i vendosur në rajonin qendror të Nigerisë midis veriut të dominuar nga myslimanët dhe jugut me shumicë të krishterë, është përballur me sulme të përsëritura vitet e fundit.
Motivi pas sulmeve të fundit mbetet i paqartë. Sulmet e armatosura kanë qenë një kërcënim kryesor për sigurinë në rajonet veriore dhe qendrore të Nigerisë, duke çuar në vdekje dhe rrëmbime në muajt e fundit .
(A.A/BalkanWeb)
