Deputetët e Kosovës do të mblidhen sërish sot për të 27-ën herë me qëllim konstituimin e Kuvendit, por procesi vijon të mbetet i bllokuar.
Ngërçi kryesor mbetet në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të këmbëngulë për kandidaturën e Albulena Haxhiut, ndërkohë që Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin atë, duke e konsideruar si një figurë jo unifikuese për Kuvendin.
Kryesuesi Avni Dehari propozoi formimin e një Komisioni Zgjedhor për të mundësuar votimin e fshehtë të kryetarit të Kuvendit, por edhe ky propozim nuk arriti të kalojë për shkak të mungesës së kuorumit.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar çështjen e votimit të fshehtë në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar interpretim për mënyrën e votimit dhe kompetencat në këtë proces.
Ngërçi institucional po zgjat prej javësh, ndërsa nuk ka ende asnjë shenjë marrëveshjeje në horizont.
