Rinovimi i Esat Malës duket se është çështja më e “nxehtë” te Vllaznia, në këto përgatitje të fillimverës.

Prizrenasit i ka skaduar kontrata me 9 herë kampionët e vendit e për momentin gjërat duken në vendnumëro. Po ashtu, shtatshkurtri nuk ka qenë pjesë e seancave të para stërvitore për edicionin 2025-26, me trajnerin Martini që theksoi se futbollisti ka pasur disa ditë pushimi më tepër sesa pjesa tjetër e skuadrës. Pritet të kthehet këto ditë pranë skuadrës, ku qëllimi kryesor është rinovimi dhe vijimi i bashkëpunimit mes dy palëve. Por, gjithçka duket se ka ngelur tek aspekti ekonomik momentalisht.

Me ofertën e klubit dhe kërkesën e futbollistit që nuk shkojnë paralel dhe për momentin nuk është gjetur gjuha e përbashkët. Megjithatë, këto ditë pritet të jenë vendimtare, pasi do të vendoset përfundimisht nëse Mala do ta vijojë apo jo karrierën në Shkodër. Në aspektin personal, 26-vjeçari, që prej 3 sezonesh është pjesë e kuqebluve, ndihet shumë i vlerësuar në klub, por edhe në qytet. Megjithatë, pas “derës” së tij qëndrojnë shumë klube dhe shumë oferta, me Partizanin e Dritën e Gjilanit, që duket se momentalisht po këmbëngulin më tepër.

Por, fillimisht, Mala do të respektojë Vllazninë dhe do të dëgjojë ofertën zyrtare dhe ndoshta edhe përfundimtare të drejtuesve shkodranë. Esat Mala zhvilloi në sezon të shkëlqyer në 2024-25, në Superiore, ku me Vllazninë zbriti 38 herë në fushë, duke shënuar 7 gola dhe dhuruar 12 asiste. Shifra rekord e mesfushorit, që përjetoi sezonin më të mirë në aspektin personal deri në këtë pikë të karrierës së tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb