Klubet tona kanë nisur të gjitha përgatitjet për ndeshjet që do të luajnë në kompeticionet europiane, ku kanë mundësinë e madhe të fitojnë të ardhura të rëndësishme, për të cilat kanë luftuar gjithë sezonin e shkuar. Egnatia, si kampione e vendit, do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve, kompeticioni më i madh europian për klube.

Rrogozhinasit e nisin nga turi i parë dhe renditen në vazon e skuadrave jofavorite. Shorti i turit të parë është caktuar të hidhet më datë 17 qershor, pra pas afro dy javësh. Ndeshjet e turit të parë, ku do të marrë pjesë Egnatia, por edhe skuadrat shqiptare të Dritës dhe Shkëndijës, do të luhen më 8/9 korrik (ndeshja e parë) dhe 15/ 16 korrik (e kthimit).

Sakaq, tri skuadrat e tjera të Superiores, Partizani, Vllaznia dhe Dinamo, do të luajnë në Ligën e Konferencës. Shorti i raundit të parë do të mbahet në një ditë me atë të Champions, më 17 qershor, teksa ndeshjet e këtij raundi janë caktuar në datat 10 dhe 17 korrik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb