Një synim i Vllaznisë për merkaton e kësaj vere është afrimi i një mesfushori me tipare sulmuese dhe kreative. Duke parë edhe largimin tashmë të konfirmuar të Amir Kahrimanoviç, ky pozicion ka ngelur “vakant” në radhët e kuqebluve.
Për këtë arsye, drejtuesit shkodranë po studiojnë tregun vendas dhe mundësitë për të afruar një futbollist që mund të bëjë diferencën. Sipas asaj që mësohet, është kërkuar informacion për Arbin Zejnullain, mesfushorin që mbylli aventurën e tij para pak ditësh në radhët e Egnatias. Dhe tashmë 26-vjeçari është një futbollist i lirë, pavarësisht se momentalisht duket e vështirë për të arritur te tetovari. Duke parë kërkesat ekonomike që ai pretendon, por edhe synimin e tij për të luajtur jashtë Superiores shqiptare, ku interesimi në drejtim të tij nuk mungon në këto momente.
NASR – Megjithatë, një tjetër futbollist, i cili është sugjeruar në ambientin e futbollit kuqeblu është edhe Saleh Nasr. Mesfushori që e mbylli sezonin në Superiore me 11 gola të shënuar, i cili pas rënies së Skënderbeut në Kategorinë e Parë, nuk pritet të qëndrojë në Korçë. Një element, të cilin trajneri Martini e njeh, sepse e ka pasur në ekip gjatë gjysmës së sezonit të shkuar te Teuta.
Emrat për momentin janë të shumtë që qarkullojnë te Vllaznia dhe për një lëvizje konkrete duhet pritur në ditët e ardhshme. Nasr raportohet të jetë një objektiv edhe për Egnatian. Kampionët do të përforconin repartin e sulmit para ndeshjeve të Europës. Eksperiencat e mëparshme të Nasr kanë qenë në Armeni dhe Egjipt. Egjiptiani pati rritjen e madhe pikërisht në Shqipëri. Pas paraqitjeve të tij duket se ka tërhequr edhe vëmendjen e drejtuesve të kampionëve në Superiore.
