Shqipëria do të kërkojë fitoren në ndeshjen ndaj Serbisë, sfidë kjo e vlefshme për kualifikueset e Botërorit. Gazetari i News 24, Igli Çelmeta, në një lidhje live me emisionin Sport News, solli detaje të reja, teksa ndodhej pranë hotelit ku qëndron përfaqësuesja serbe.
Çelmeta theksoi se për mbarëvajtjen e ndeshjes janë marrë të gjitha masat e duhura, që të mos ketë probleme.
“Kombëtarja serbe ka mbërritur rreth orës 13.00 të drekës në tokën shqiptare. Është akomoduar në hotelin përkatës, pranë bulevardit “Gjergj Fishta”. Kanë qëndruar 4 orë në hotel, ku kanë konsumuar edhe drekën. Më pas, në 17.00, të shoqëruar nga forca policore, janë nisur drejt stadiumit “Air Albania” për të mbajtur konferencën për shtyp.
Sa i takon masave, hoteli ku ndodhet ekipi serb është nën masa të rrepta sigurie. Kam vënë re, përveç atyre me uniforma, ka edhe agjentë civilë.
Ndeshja Shqipëri-Serbi, pritet të jetë një sfidë sigurie për vendin tonë. Janë angazhuar rreth 2000 efektivë policie, për herë të parë.
Policia e Shtetit është fokusuar për rendin dhe sigurinë jo vetëm rreth hotelit, por për sigurinë në përgjithësi, edhe brenda stadiumit. Do të kalojnë në 3 sektorë tifozët që të futen në stadium.
Dron- Policia e shtetit i ka marrë masat që historia të mos përsëritet. Brenda në stadium ka pushkë anti-dron, pra janë marrë gjitha masat që mos të lejohet ngritja e dronit. Ka kamera me rezolucion të lartë. Nuk ka indicie apo informacion që mund të ketë incident në këtë ndeshje”- Tha Çelmeta.
(J.S/BalkanWeb)
