Qeveria gjermane do të vazhdojë të kthejë refugjatë në kufi, megjithëse një gjykatë në Berlin e ndaloi këtë. Kabineti Merz miratoi gjithashtu ashpërsime të reja të procedurave të migrimit.

Auron Dodi nga Deutsche Welle raportoi për News24 zhvillimet e fundit nga Gjermania.

“Gjykata Administrative e Berlinit, vendosi në një prodecurë urgjente, se kthimi pas në kufirin gjerman i tre somalezëve, ishte i paligjshëm. Somalezët po vinin me tren nga Polonia, kur policia i ndaloi në Frankfurt mbi Oder. Por Gjykata e Berlinit tha se Gjermania nuk duhet t’i kishte kthyer pas ata, brenda ditës. Me këtë, autoritetet gjermane kishin shkelur detyrimin për të hapur fillimisht një procedurë të plotë, ku të konstatonin shtetin përgjegjës për kërkesën për azil, të somalezëve. Këtë e kërkon rregullorja e BE e Dublinit. Për pyetjen se çfarë do të ndodhë tani: në rastin e somalezëve, qeveria tha se do ta respektojë vendimin e gjykatës. Por në praktikën e përgjithshme të kthimeve pas, të migrantëve të paligjshëm “aktualisht” nuk do të ndryshojë gjë – kështu u shpreh Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Dobrindt. Dobrindti tha i vendosur se ne “do t’u përmbahemi kthimeve pas”, tha Dodi.

Intervista e plotë

Renaldo Salianji: Është hera e parë që një gjykatë gjermane, Gjykata Administrative e Berlinit, frenoi masat e qeverisë Merz kundër migrimit të paligjshëm. Çfarë do të ndodhë tani?
Auron Dodi: Po, është hera e parë që një gjykatë shpall antiligjore veprimet e qeverisë Merz për të frenuar migrimin. Pikërisht Gjykata Administrative e Berlinit, vendosi në një prodecurë urgjente, se kthimi pas në kufirin gjerman i tre somalezëve, ishte i paligjshëm. Somalezët po vinin me tren nga Polonia, kur policia i ndaloi në Frankfurt mbi Oder.

Por Gjykata e Berlinit tha se Gjermania nuk duhet t’i kishte kthyer pas ata, brenda ditës. Me këtë, autoritetet gjermane kishin shkelur detyrimin për të hapur fillimisht një procedurë të plotë, ku të konstatonin shtetin përgjegjës për kërkesën për azil, të somalezëve. Këtë e kërkon rregullorja e BE e Dublinit.

Për pyetjen se çfarë do të ndodhë tani: në rastin e somalezëve, qeveria tha se do ta respektojë vendimin e gjykatës. Por në praktikën e përgjithshme të kthimeve pas, të migrantëve të paligjshëm “aktualisht” nuk do të ndryshojë gjë – kështu u shpreh Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Dobrindt. Dobrindti tha i vendosur se ne “do t’u përmbahemi kthimeve pas”.

Çfarë e bën qeverinë gjermane të vendosur të kundërshtojë një vendim të drejtësisë?
Dëshiroj ta përsërit që qeveria gjermane do ta zbatojë vendimin konkret, të gjykatës së Berlinit. Pra do të shqyrtojë tani, formalisht, në Gjermani, se cili shtet është përgjegjës për azilin e tre somalezëve.

Por ministri i Zyrës Kancelarore, Thorsten Frei, tërhoqi vëmendjen se “një gjykatë administrative, nuk mund të marrë një vendim politik me efekt për të gjithë vendin.” Me fjalë të tjera: vendimi nuk shërben si kriter orientues për gjithë veprimtarinë e qeverisë.

Ministri i Zyrës Kancelarore pranoi megjithatë se kemi të bëjmë me “lëndë të vështirë juridike”. Si Frei, ashtu edhe Ministria e Drejtësisë thanë se ndoshta në fund vendimin duhet ta marrë Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Kurse ministri i Brendshëm, Dobrindt njoftoi se do të kërkonte një procedurë gjyqësore për thelbin e çështjes, ku qeveria t’i argumentojë më mirë hapat.

Ai tha se “mbingarkesa” e Gjermanisë nga vërshimi i migrantëve është “e dukshme dhe e dëshmueshme.” Kjo vërehet p.sh. në problemet për përkujdesjen e fëmijëve, në ngarkesën në shkolla dhe në shëndetësi.

Kritikët flasin megjithatë për një goditje të hapave që kancelari Merz po merr kundër migrimit. A ndihet Merzi i prekur nga vendimi?
Kancelari Friedrich Merz mendon se vendimi i gjykatës nuk i vë pikëpyetje parimore procedurës në kufi. Merzi tha se ” e dimë, që ne mund të vazhdojmë të bëjmë kthime pas”. Ai pranoi se vendimi “ndoshta i ngushton, hapësirat e manovrimit”. Por “ato vazhdojnë të ekzistojnë”.

Kurse kryeministri i Bavarisë, Markus Söder tha se janë vendet fqinje të Gjermanisë, ato që në disa raste nuk u përmbahen ligjeve evropiane e përgjegjësisë për migrantët. Söderi tha se “kjo përbën një kërcënim për rendin publik për ne.”

Edhe mediet britanike shkruajnë se janë vendet e para pritëse, si Italia dhe Greqia, që dendur nuk i zbatojnë rregullat evropiane të Dublinit. Këto rregulla kërkojnë që një refugjat të kërkojë azil në shtetin e parë të BE, ku hyn. Italia e Greqia dendur, thjesht i lënë migrantët të vazhdojnë rrugën në vende të tjera, pasi migrantët thonë se kanë miq ose familje atje.

Në realitet, rezulton e vështirë që ata t’i kthesh pas në vendin e parë, ku hyjnë në BE. Shtetet e para ku mbërrijnë migrantët pranojnë vetëm një kuotë të caktuar riatdhesimesh; e pranojnë kthimin vetëm në orare të posaçme, e kështu me radhë.

Auron, qeveria gjermane miratoi edhe një projektligj, me të cilin i përcakton më lehtë shtetet e sigurta të origjinës së migrantëve. Një masë tjetër që mori, prek edhe avokatin, për personat që duhet të dëbohen. Ç’mund të na thuash për këtë?
Po, me një projektligj të posaçëm, kabineti i Merzit do të përcaktojë vetë në të ardhmen, se cilat shtete konsiderohen shtete të sigurta të origjinës. Me projektligjin e qeverisë, në të ardhmen, landet federale, që përfaqësohen në këshillin federal, Bundesrat, nuk do ta bllokojnë më dot kategorizimin.

Kjo i përshpejton dëbimet në shtetet e përcaktuara të sigurta, pasi shkurton mjetet ligjore.

16 landet federale të Gjermanisë nuk janë parimisht kundër dëbimeve të migrantëve të paligjshëm.

Janë ato që madje e dinë më mirë, se kush duhet të dëbohet. Këtë javë kryeministrat e landeve madje edhe diskutuan për dëbimet e migrantëve të paligjshëm.

Por bllokimet e qeverisë në Këshillin Federal, p.sh. për vende të Ballkanit, në të kaluarën, ata i kanë bërë për synime politike.

Tani, në listën e vendeve të sigurta të origjinës do të shtohen Algjeria, India, Maroku dhe Tunizia. Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ka kohë që konsiderohen vende të sigurta të origjinës.

Po me avokatin e personave në arrest para dëbimit dhe të azilkërkuesve, pse u mor qeveria dhe mbi të gjitha çfarë u vendos për të?
“Qeveria e kaluar, që siç dihet, përbëhej nga socialdemokratët dhe Të Gjelbrit (dhe liberalët e FDP) miratoi një rregull për migrantët në arrest para dëbimit, që solli diskutime në Gjermani.

Sipas këtij rregulli, shteti gjerman kishte detyrimin që t’u paguante një avokat personave që kishte vendosur t’i dëbonte. Dhe të cilët i kalonte në arrest para dëbimit, që të mos fshiheshin. Pra shteti paguante një avokat, dhe detyra e këtij avokati ishte, në thelb, që të kundërshtonte vendimin e vetë shtetit, në emër të migrantit.

Tani qeveria e re Merz e anuloi këtë vendim, që u konsiderua edhe paradoksal.

As azilkërkuesve që i refuzon, shteti gjerman tani nuk do t’ua paguajë më avokatin. Detyra e avokatit, në këtë rast do të ishte kundërshtimi i vendimit të shtetit për t’i kthyer azilkërkuesit pas, në një vend tjetër të BE, siç e kërkojnë rregullat e Dublinit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb