Kryetari i PD Sali Berisha ka reaguar përmes një deklarate në lidhje me kërkesat për rinumërim të votave nga disa kandidatë të Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të 11 majit.
“Çdo njeri që ka kërkuar për të numëruar votat këtu në parti, i është pranuar absolutisht kërkesa”, tha Berisha, duke theksuar se procesi nuk lidhet me asnjë ndikim apo tendencë, por ka të bëjë vetëm me transparencën.
Berisha u shpreh se vetë u ka sugjeruar kandidatëve të kenë kurajën të kërkojnë rinumërimin në rast dyshimi dhe theksoi se kjo është mënyra më e mirë për të larguar çdo paqartësi apo akuzë për manipulim.
“Asnjë shtytje nuk ekziston, por çdo dyshim duhet adresuar përmes rinumërimit. Këtë e kam kërkuar edhe vetë”, theksoi ai.
Berisha përfundoi duke thënë se nuk ka asnjë koment negativ ndaj atyre që kërkojnë rinumërim: “Ata që e kërkojnë, kanë të drejtë. Transparenca është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur çdo dyshimi.”
