Kjo javë do të shtojë forcat për skuadrën e Gegës. Gazeta mëson se do të ketë prezantime, ndërsa Partizani po përgatitet për ndeshjet e Europës. Kërkohen përforcime në të gjitha repartet, me përjashtim të portës ku Pano Qirko shihet si garanci.
Mbrojtësit dhe sulmuesit e krahut, si edhe një fantazist janë tashmë në fokusin e klubit. Akordi me Xhuliano Skukën dhe Vusal Isgandarlin tregon se Partizani po punon për emra me peshë. Të dy kanë spikatur më parë në Shqipëri, ndërsa mbetet për t’u parë si do të shkojnë eksperiencat e reja.
Skënder Gega duhet ta ketë ekipin gati për ndeshjet e korrikut. Koha nuk premton, teksa në të njëjtën kohë te Partizani nuk duan të nxitohen me asnjë lëvizje. Përgatitjet për Europën po vijojnë me seriozitet. Të kuqtë do të njohin kundërshtarin e turit të parë në Ligën e Konferencës më 17 qershor. “Demat” ndodhen në vazon e favoritëve edhe për turin e dytë, nëse kanë sukses tek i pari. Kalimi i dy tureve është objektiv.
