Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se do të dëshironte të arrestonte guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom.

Trump mësohet se ka folur me gazetarët ndërsa po kthehej në Shtëpinë e Bardhë, ku është pyetur rreth gjendjes në qytetin kalifornian të Los Angelesit.

Trump u pyet lidhur me faktin që Newsom kishte sfiduar autoritetin e tij dhe se a do të duhej ta arrestonte “shefi i kufirit”.

“Do të duhej ta bënte”, tha shkurtimisht Trump.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i guvernatorit të Kalifornisë, i cili në rrjetin social X teksa ka postuar videon e shkurtër të Trump para mediave, ku shkruan se ky është një hap drejt autoritarizmit.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara sapo bëri thirrje për arrestimin e një guvernatori në detyrë. Kjo është një ditë që shpresoja të mos e shihja kurrë në Amerikë.

Nuk ka rëndësi nëse je Demokrat apo Republikan – kjo është një vijë që nuk mund ta kalojmë si komb. Ky është një hap i qartë drejt autoritarizmit”, shkruan guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom.

Protestat filluan të premten pasi u zbulua se oficerët e Zbatimit të Doganave të Imigracionit (ICE) po kryenin bastisje në të gjithë qytetin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb