Tre deputetë nga partia e ekstremit të djathtë “Spartiates”  përfshirë udhëheqësin e saj Vasilis Stigas, do të humbasin vendet e tyre në parlament, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë speciale të Greqisë, e cila anuloi zgjedhjet e të vitit 2023, raportoi “Kathimerini”.

Gjykata në fjalë është e ngarkuar të gjykojë, ndër të tjera, vlefshmërinë e zgjedhjeve parlamentare në Greqi.  Gjykata zbuloi se kishte ndodhur një mashtrim zgjedhor, pasi udhëheqësi i fshehur i partisë “Spartiates” në kohën e zgjedhjeve ishte Ilias Kasidiaris, një zëdhënës dhe zyrtar i lartë i ish-partisë neonaziste “Agimi i Artë”, e cila që atëherë është shpërbërë pas një vendimi që e etiketonte partinë si një organizatë kriminale.

Kasidiaris, aktualisht është duke vuajtur një dënim me 13 vjet burg për përfshirjen e tij në organizatë, dhe me ligj atij iu ndalua të kandidonte në zgjedhjet kombëtare të vitit 2023 – në të cilat “Spartiates” hynë në parlament për herë të parë, duke fituar 12 vende.

Përveç Stigas, deputetët Petros Dimitriadis dhe Alexandros Zerveas humbën vendet e tyre në parlament.  Vendimi krijon një precedent unik – pasi është hera e parë që parlamenti grek do të përbëhet nga 297 deputetë në vend të 300 vendeve të parashikuara.

Në fakt, Gjykata vendosi se nuk ka asnjë dispozitë për rishpërndarjen e vendeve të lira parlamentare – midis partive të tjera, dhe as nuk lejon kandidatë të tjerë të “Spartiates” të zëvendësojnë deputetët e shkarkuar.Partia e ekstremit të djathtë u përjashtua nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor të vitit të kaluar./Kathimerini

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb