Kryetarja e Bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass njoftoi vendosjen e orës policore për qendrën e qytetit, e cila hyri në fuqi dje, nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit të sotëm. Zyrtarët e Los Anxhelosit thanë se masa pritet të mbetet në fuqi për disa ditë, megjithëse pritet të rishikohet me kalimin e kohës.
Ora policore, tha Bass, përfshin “përjashtime të kufizuara” për banorët e zonave të prekura dhe për njerëzit që duhet të udhëtojnë për në punë.
Bass iu referua problemeve të shkaktuara në qytet ditët e fundit duke theksuar se “ka grafike kudo në qendër të qytetit si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme”.
CNN duke iu referuar organeve të zbatimit të ligjit raporton se ora policore do të prekë rrethn 100 mijë persona nga 4 mln banorët e Los Anxhelosit.
Policia e Los Anxhelosit raportoi se kishte bërë dhjetëra arrestime brenda zonës së shtetrrethimit, ku disa grupe protestuesish vazhdonin të mblidheshin.
Trump: Do çlirojmë përsëri qytetin
“Administrata Trump do ta “çlirojë përsëri” qytetin e Los Angeles”, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump në një fjalim në Fort Bragg, Karolina e Veriut, duke iu drejtuar protestave që vijojnë prej fundjavës kundër politikave anti-imigracion të qeverisë federale. “Ne do ta bëjmë atë përsëri të pastër, të lirë dhe të sigurt”, shtoi ai.
Midis mijëra emigrantëve të paligjshëm që administrata Trump po shqyrton transferimin në bazën ushtarake në Gjirin e Guantanamos, Kubë, ka edhe qytetarë italianë.
Disa zyrtarë amerikanë i thanë Washington Post në kushtet e anonimatit, duke konfirmuar se transferimet mund të fillojnë që këtë javë, siç është raportuar më parë nga informacionet e dala në shtyp. Të huajt që janë ilegalisht në SHBA dhe që mund të transferohen në Guantanamo para riatdhesimit vijnë nga disa vende dhe qindra janë qytetarë të vendeve aleate si Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca, Gjermania, Irlanda, Belgjika, Holanda, Lituania, Polonia, Turqia dhe Ukraina. Shumë prej tyre, shtuan burimet, janë nga Haiti.
Kritikat e Shtëpisë së Bardhë ndaj Guvernatorit të Kalifornisë
Shtëpia e Bardhë ka kritikuar ashpër deklaratat e fundit të Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, se “demokracia është nën sulm”. Në një mesazh të postuar në platformën e mediave sociale X, Zëvendëssekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, tha: “Newsom: Fajësoni Trumpin për paaftësinë tuaj. Patetike dhe e parashikueshme!”
Sipas Guvernatorit të Kalifornisë Newsom, Presidenti i SHBA-së Donald Trump “ka zgjedhur shfaqjet teatrale mbi sigurinë publike”. Guvernatori i Kalifornisë cituar nga CNN tha se “qytetarët e Los Anxhelos kanë dalë në rrugë për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për lirinë e fjalës dhe të tubimit, për të protestuar kundër veprimeve të qeverisë”. Administrata Trump, shtoi ai, “po synon pa dallim familjet e emigrantëve që punojnë shumë, pavarësisht nga prejardhja e tyre apo rreziqet”.
(BalkanWeb)
