Shtresa e akullit e Groenlandës u shkri 17 herë më shpejt se mesatarja e kaluar gjatë një vale të nxehti të majit që goditi edhe Islandën, tha rrjeti shkencor World Weather Attribution (WWA) në një raport të mërkurën.
Rajoni i Arktikut është në vijën e parë të ngrohjes globale, duke u ngrohur katër herë më shpejt se pjesa tjetër e planetit që nga viti 1979, sipas një studimi të vitit 2022 në revistën shkencore Nature.
“Shkalla e shkrirjes së shtresës së akullit të Groenlandës, nga një analizë paraprake, me një faktor prej 17… do të thotë se kontributi i shtresës së akullit të Groenlandës në rritjen e nivelit të detit është më i lartë sesa do të kishte qenë pa këtë valë të nxehti”, u tha gazetarëve një nga autoret e raportit, Friederike Otto.
«Pa ndryshimet klimatike kjo do të kishte qenë e pamundur», tha Otto, një profesor i asociuar në shkencën e klimës në Imperial College London.
Të dhënat nga vala e të nxehtit e 15-21 majit 2025 u krahasuan me shkrirjen mesatare të akullit për të njëjtën javë gjatë periudhës 1980-2010.
Në Islandë, temperatura tejkaloi 26 gradë Celsius (79 Fahrenheit) më 15 maj, e paparë për atë kohë të vitit në ishullin subarktik.
“Temperaturat mbi Islandë, të vëzhguara këtë maj, janë rekord, më shumë se 13 gradë Celsius më të larta se temperaturat maksimale ditore mesatare të majit për periudhën 1991-2020”, tha WWA.
Në maj, 94 përqind e stacioneve meteorologjike të Islandës regjistruan temperatura rekord, sipas institutit meteorologjik të vendit.
Në Groenlandën lindore, dita më e nxehtë gjatë valës së të nxehtit ishte rreth 3.9 gradë Celsius më e ngrohtë krahasuar me klimën paraindustriale, tha WWA.
“Ndërsa një valë e të nxehtit që është rreth 20 gradë Celsius mund të mos tingëllojë si një ngjarje ekstreme nga përvoja e shumicës së njerëzve në mbarë botën, është një gjë vërtet e madhe për këtë pjesë të botës”, tha Otto.
«Kjo ndikon masivisht në të gjithë botën», tha ajo.
Sipas WWA-së, temperaturat rekord të vërejtura në Islandë dhe Groenlandë këtë maj mund të përsëriten çdo 100 vjet.
Për komunitetet indigjene të Groenlandës, temperaturat më të ngrohta dhe shkrirja e akullit ndikojnë në aftësinë e tyre për të gjuajtur në akull, duke paraqitur një kërcënim për jetesën dhe mënyrën e tyre tradicionale të jetesës.
Ndryshimet ndikojnë gjithashtu në infrastrukturën në të dy vendet.
“Në Groenlandë dhe Islandë, infrastruktura është ndërtuar për mot të ftohtë, që do të thotë se gjatë një vale të nxehti, shkrirja e akullit mund të çojë në përmbytje dhe të dëmtojë rrugët dhe infrastrukturën”, tha WWA.
Në Groenlandë, temperaturat më të larta të shoqëruara me reshje të dendura shiu mund të kenë pasoja të shumta në natyrë.
Në vitin 2022, temperaturat më të larta shkaktuan shkrirjen e akullit të përhershëm, duke çliruar hekur dhe metale të tjera në liqene të shumta Arktike, tha ai.
Shëndeti dhe higjiena gjithashtu mund të preken, pasi familjet rurale të Groenlandës shpesh nuk kanë sisteme të kanalizimeve.
