EVU Albania ka realizuar një tjetër demonstrim të drejtpërdrejtë të një aksidenti rrugor, këtë herë duke simuluar përplasjen e një makine me një motor, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë.
Ngjarja u transmetua live në News 24 dhe është pjesë e simpoziumit të organizuar nga kjo organizatë, me qëllim sensibilizimin e drejtuesve të mjeteve për rreziqet në trafik dhe pasojat e aksidenteve.
Sipas Alfred Hasanajt, drejtues i EVU Albania, testi u krye nga një shofer i specializuar për simulime të tilla. “Do të nisë procedura nga ana jonë. Do të kontrollohet kutia e zezë, do të përcaktojmë saktësisht edhe shpejtësinë e makinës në momentin e goditjes,” u shpreh ai.
Hasanaj shtoi se EVU Albania përdor teknologji të avancuar për analizën e aksidenteve, përfshirë dronë, skanime 3D dhe piketim preciz për të rindërtuar me saktësi ngjarjen.
Demonstrimi është pjesë e një fushate më të gjerë për ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi rëndësinë e sigurisë rrugore dhe pasojat që mund të sjellë pakujdesia në drejtimin e mjeteve.
