Deputeti i zgjedhur Klevis Balliu u takua me ish-Kryeministrin e Polonisë në aktivitetin “Lessons Learned from Polish Experience”, i organizuar nga Impact Assessment Institute dhe Creative Business Solutions, në bashkëpunim me Ambasadën e Polonisë në Shqipëri.
Gjatë këtij aktiviteti, Balliu ngriti shqetësimin për nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri, të cilin e cilësoi si një nga pengesat kryesore për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se edhe fondet e BE-së për bujqësinë janë keqpërdorur nga qeveria aktuale, çka ka sjellë si pasojë pezullimin e fondeve IPARD për Shqipërinë nga ana e Bashkimit Evropian.
“Polonia ka qenë gjithmonë një mbështetëse e qëndrueshme e vendit tonë dhe e aspiratave tona për integrim evropian. Tani kemi nevojë për ndihmën tuaj edhe në luftën kundër korrupsionit,” u shpreh Balliu gjatë fjalës së tij.
