Nga data 11 deri më 14 qershor 2025, Parisi do të jetë qendra botërore e teknologjisë dhe inovacionit, falë edicionit të radhës së VivaTech, konferencës më të madhe në Europë për start up-et, bizneset inovatore dhe teknologjitë e avancuara.
Në këtë arenë globale, Shqipëria përfaqësohet me moton “Albania Future Noë”, pjesë e fushatës Innovation Noë e mbështetur nga EU4Innovation (GIZ) dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me qëllim promovimin, në tregun kombëtar e ndërkombëtar, të ekosistemit të inovacionit shqiptar..
Në këtë skenë ndërkombëtare të inovacionit do të marrin pjesë katër aktorë kyç të ekosistemit shqiptar të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik: dy parqet teknologjike Durana dhe TEDA, Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC) dhe AIDA.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se “e ardhmja është sot dhe Shqipëria është gati të flasë gjuhën e përbashkët të teknologjisë dhe inovacionit”.
Postimi i Gonxhes:
“Shqipëria prezantohet në VivaTech, një nga arenat më të mëdha globale të inovacionit dhe teknologjisë, me një vizion të qartë dhe me një ofertë konkrete për investitorët, partnerët dhe sipërmarrësit.
E ardhmja është sot dhe Shqipëria është gati të flasë gjuhën e përbashkët të teknologjisë dhe inovacionit, duke ndërtuar ura bashkëpunimi nëpërmjet projekteve si Durana Tech Park dhe TEDA Tirana, zona me status të veçantë ekonomik që ofrojnë kushte konkurruese për investime në sektorin digjital.
Përmes AIDA-s, ofrojmë të gjithë informacionin dhe lehtësitë për të investuar në Shqipëri, jo vetëm përmes marrëdhënieve ndërqeveritare (G2G), por edhe përmes kontakteve biznes me biznes (B2B), duke i dhënë jetë partneriteteve konkrete dhe të qëndrueshme.
Krenarë që përfaqësojmë edhe start-up-et shqiptare dhe sipërmarrësit e rinj, të cilët janë pjesë e ekosistemit tonë të inovacionit dhe vijnë me ide që synojnë tregun ndërkombëtar.
Tashmë Shqipëria po kthehet në një pikë strategjike për investime dhe zhvillim teknologjik.
(BalkanWeb)
