Forcat Ajrore të Izraelit vazhdojnë të publikojnë pamje të reja të sulmit të para dy ditëve në disa caqe ushtarake në Iran.

Në videot e publikuara në faqen zyrtare të tyre tregohet se si kanë goditur bombarduesit iranianë, teksa e kanë ditur me saktësi vendndodhjen e tyre në Teheran.

Ndërkohë, ushtria izraelite vlerëson se bombardimet nga Irani do të rifillojnë në mbrëmje. Sipas IDF-së, një pjesë e qetësisë së orëve të fundit është për shkak të një feste që festohet sot në Iran. IDF raportoi gjithashtu se e gjithë Komanda e Frontit të Brendshëm është mobilizuar: më shumë se 50 batalione ndihme janë vendosur në të gjithë vendin dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes.

Megjithatë, ende nuk është dhënë alarmi që banorët të rihyjnë në vendstrehime. Më herët Irani deklaroi se ka për të lëshuar 2 mijë raketa drejt Izraelit, por ekspertët ushtarakë thonë se kjo është e pamundur nga ana logjistike dhe një presion i Iranit, në mënyrë që vendi hebre të qëndrojë në mbrojtje dhe jo të sulmojë sërish.

Irani pretendon se ka rrëzuar tre avionë bombardues izraelitë. Tel Avivi e mohon
Ushtria iraniane tha se sistemi i saj mbrojtës rrëzoi një tjetër avion luftarak izraelit F-35 në perëndim të vendit.

“Piloti u nxor nga avioni dhe fati i tij është i panjohur”, raporton agjencia Fars.

Një ditë më parë, Teherani tha se kishte rrëzuar dy avionë të tjerë luftarakë izraelitë dhe kishte kapur një pilot.

Izraeli mohoi si rrëzimin ashtu edhe kapjen e pilotit duke akuzuar Iranin se po falsifikon informacionet në një kohë kur sulmet ajrore të ndërsjella mes dy shteteve kishin hyrë në një fazë kritike.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb