Amos Dojaka, presidenti i komunitetit hebre të Shqipërisë, i ftuar në studion e emisionit “Log.” në News24, komentoi përshkallëzimin e fundit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, duke theksuar rëndësinë e kërcënimit iranian ndaj Izraelit.

“Me ardhjen e mullahëve në pushtet, Irani ndryshoi historinë dhe u bë një kërcënim serioz për Izraelin, duke kërcënuar drejtpërdrejt sovranitetin e tij,” tha Dojaka. Ai shtoi se shërbimet inteligjente izraelite monitorojnë prej vitesh aktivitetet e pasurimit të uraniumit në Iran, që sipas disa burimeve ka arritur deri në 60%.

Dojaka theksoi gjithashtu rolin aktiv të Izraelit në ndërhyrje të ndryshme, përfshirë atentate ndaj liderëve iranianë, si pjesë e përpjekjeve për të frenuar kërcënimet. Ai kujtoi se edhe përpjekjet diplomatike, si ato të ish-presidentit amerikan Donald Trump me Korenë e Veriut, nuk kanë ndalur prodhimin e raketave balistike në rajon.

“Izraeli nuk kishte çfarë të humbte, dhe tani nuk ka kthim pas,” përfundoi presidenti Dojaka, duke nënvizuar se tensionet pritet të mbeten të larta në këtë konflikt të përgjakshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb