Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vlerëson se sulmet ndaj Iranit e kanë penguar ndjeshëm programin e tij bërthamor.
“Vlerësoj se po i kthejmë mbrapsht pas një kohe shumë, shumë të gjatë. Nuk mund të jap më shumë detaje», tha ai në një konferencë për shtyp të hënën. «Kemi objektiva dhe do të bëjmë një trajtim rrënjësor këtu».
Izraeli ka synuar tre objekte kryesore bërthamore iraniane – Natanz, Isfahan dhe Fordow – dhe disa shkencëtarë të shquar të përfshirë në kërkimin dhe zhvillimin bërthamor. Shkalla e dëmit po fillon të bëhet e dukshme, me imazhe satelitore dhe analiza të ekspertëve që lënë të kuptohet se sulmet patën një ndikim të rëndësishëm në të paktën dy nga vendet.
Netanyahu shprehu gjithashtu optimizëm në fitoren e Izraelit në konfliktin me Iranin, duke thënë: “Ne jemi në rrugën e duhur për fitoren e plotë”.
“Ne ndodhemi përballë një kërcënimi të madh dhe po e eliminojmë atë”, tha ai.
“Ne kemi arritur kontroll të plotë – Izraeli po kontrollon hapësirën ajrore iraniane”, shtoi ai.
Netanyahu tha gjithashtu se Izraeli është në “koordinim të plotë” me Shtetet e Bashkuara dhe se ai ka kontakt pothuajse të përditshëm me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
“E vlerësoj shumë ndihmën që po na japin SHBA-të”, tha ai, duke treguar se si SHBA-të kanë ndihmuar në kapjen e raketave dhe dronëve iranianë.
Trump ka mbetur mbështetës i Izraelit, por është i kujdesshëm ndaj çdo përfshirjeje ofensive të SHBA-së.
(BalkanWeb)
