Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Brenton Kotorri, i ftuar në emisionin “News24”, komentoi zhvillimet më të fundit në Lindjen e Mesme, ku tensionet mes Izraelit dhe Iranit kanë arritur një tjetër nivel përshkallëzimi ushtarak.
Sipas Kotorrit, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përkrahur kurrë regjimin iranian dhe do të ishin të gatshme për një konflikt të hapur, por deri tani kanë zgjedhur forma të tjera për ta përballuar këtë rivalitet.
“SHBA nuk e duan Iranin dhe do ishin të gatshme ta luftonin, por e kanë bërë me mjete të tjera, jo me luftë frontale. Nëse do ketë përshkallëzim real, shumëçka do varet nga qëndrimi i presidentit Trump dhe kapaciteti ushtarak i Izraelit për të mbajtur luftën në nivel konvencional”, tha Kotorri.
Ai shtoi gjithashtu se një ndërhyrje e drejtpërdrejtë ushtarake në Iran ose përpjekja për negociata do të jenë dy skenarët e mundshëm, por të vështirë: “Irani tani që është sulmuar i pari, nuk do të jetë aq i qetë në tryezën e bisedimeve – do kërkojë më shumë se më parë”.
