Donald Trump mund të vendosë se duhet të ndërmarrë veprime të mëtejshme për t’i dhënë fund përpjekjeve të Iranit për pasurimin bërthamor, ka deklaruar zv/presidenti amerikan JD Vance.

Presidenti amerikan ka thënë se dëshiron të shohë një “fund të vërtetë” të konfliktit Izrael-Iran, por gjithashtu paralajmëroi se nëse trupat amerikane dëmtohen nga Teherani, atëherë “dorezat hiqen”.

Duke postuar në X, Vance tha se 25 vitet e fundit të “politikës së jashtme idiote” pa dyshim do t’i shqetësojnë amerikanët për planet e Trump.

“Por unë besoj se presidenti ka fituar një farë besimi për këtë çështje”, shtoi ai.

“Dhe duke e parë këtë nga afër dhe personalisht, mund t’ju siguroj se ai është i interesuar vetëm të përdorë ushtrinë amerikane për të arritur qëllimet e popullit amerikan. Çfarëdo që të bëjë, ky është fokusi i tij, shkroi Vance.

Vance gjithashtu e përdor postimin e tij për të argumentuar se Irani kishte “pasuruar uranium shumë mbi nivelin e nevojshëm për çdo qëllim civil”.

Ai këmbëngul se Trump “ka treguar përmbajtje të jashtëzakonshme në mbajtjen e fokusit të ushtrisë sonë në mbrojtjen e trupave tona dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë”.

Ai shtoi më tej: “Presidenti e ka bërë të qartë se Irani nuk mund të pasurojë uranium. Dhe ai e ka thënë vazhdimisht se kjo do të ndodhte në njërën nga dy mënyrat – në mënyrën më të lehtë ose në mënyrën ‘tjetër’.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb