Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, u paraqit këtë të enjte në SPAK, aty ku është paditur për shpifje nga shoqëria “3P Life Logistic”, që ka fituar koncensionin e Check Up.
Në një prononcim për mediat, Vokshi u shpreh se gjyqi i zhvilluar është një absurditet dhe se ajo është akuzuar nga Vilma Nushi për një çështje që ajo ka ngritur në detyrën e saj si kryetare në Komisionin Hetimor. Sipas Vokshit , Nushi e kishte personale me të pasi kishte dështuar që t’i mbyllte gojën.
“Sot kisha seancën e rradhës në gjyqin pas padisë që Vilma Nushi më ka bërë mua. Mund të them se është një absurditet i madh sepse ajo më ka akuzuar për shpifje dhe për pyetjet që unë kam bërë në Komisionin Hetimor si kryetare e saj dhe për të dhënat që kam paraqitur. Vilma Nushi refuzoi të vinte , e cila u mbrojt nga Edi Rama që të mos paraqitej. Nuk e ka pasur edhe me deputetët e tjerë por e kishte personale me mua pasi dështoi të më blinte, dështoi të më mbyllte gojën dhe ka invenstuar Gjykatën në një çështje komplet absurde e cila tregon sistemin që ka ngritur Edi Rama”, tha ajo.
Më tej deputetja e PD, theksoi se ajo kishte folur për çështjen e koncesionit rreth 10 vite më parë. Vokshi nuk hoqi dorë nga qëndrimi i saj dhe tha se do të kërkojë si dëshmitarë kryesorë në proces Edi Ramën, Ogerta Manastirliun dhe Ilir Beqajn, të cilët, sipas saj, ende nuk kanë dhënë llogari për keqpërdorimin e koncesioneve të Check-upit dhe sterilizimit. Ajo paralajmëroi se do të vazhdojë të hedhë dritë mbi këto skandale që i kanë shkaktuar dëm popullit shqiptar.
“Unë për CHECK-up in kam folur prej 10 vitesh dhe në kohën kur po hetoheshin termat e referencës apo dokumentat e tenderit dhe në mënyrën që ishte tenderuar pasi ishte mikeshë e Edi Ramës. Kam denoncuar tërësisht koncesionin tërësisht korruptiv abuziv dhe abuzimin duke pirë gjakun e shqiptarëve dhe sot është paraqitur njër dokument që unë e kam denoncuar para shumë vitesh. Edi Rama, Ogerta Manastirliu dhe Ilir Beqaj ende nuk kanë dhënë llogari për keqpërdorimin e koncesioneve të Check-upit dhe sterilizimit. Sot jemi 5 vite dhe akoma nuk kemi një konkluzion për denocimin e bërë. Ajo që dua të them në përfundim që ky gjyq, është që pasi dështuan ky është sistemi i ngitur prej Edi Ramës. Prokurori vendos që seanca tjetër do të zhvillohet në datën 3 korrik. Unë do i shkoj çështjes deri në fund dhe nuk mund të mbyllin gojën as mua dhe as kolegëve të mi”, përfundoi Vokshi
(BalkanWeb)
