Analisti Ben Andoni, në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e News24, komentoi situatën politike në vend pas zgjedhjeve të 11 majit, duke nënvizuar rëndësinë e standardeve zgjedhore dhe rolin e partive në sistemin aktual politik.

Sipas Andonit, Shqipëria ka potencialin të përmirësojë perceptimin ndërkombëtar nëse arrin të organizojë zgjedhje lokale të rregullta dhe transparente, veçanërisht në bashkitë ku pritet të mbahen zgjedhje të reja. “Nëse këto zgjedhje zhvillohen mirë, do të pasqyrohen pozitivisht në raportet ndërkombëtare”, tha ai.

Megjithatë, Andoni vuri në dyshim efikasitetin e ankimimeve të Partisë Demokratike, duke thënë se “ato do të përfundojnë në një sistem të ndërtuar nga vetë PD dhe PS, dhe janë peng i këtij bashkëpunimi”.

Ai kritikoi gjithashtu dështimin e partive të vogla për të bashkuar forcat për të maksimizuar përfaqësimin në parlament, duke i quajtur mandatet e tyre “të papërfillshme”.

Ndërkohë, për kryeministrin Edi Rama, Andoni tha se edhe pse ai rinovoi pamjen e PS në parlament, “shpërfillja e tij ndaj opozitës mbetet problematike për demokracinë në vend”. Sipas tij, Rama duhet të dëgjojë edhe zërat opozitarë, “qoftë edhe për gjëra që ai i konsideron të papërfillshme”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb