Egnatia ka nisur me seriozitet fazën përgatitore, me synimin e qartë për të ndërtuar një skuadër të përgatitur në çdo aspekt për sfidat europiane që e presin.

Një nga objektivat kryesore të kësaj periudhe intensive është arritja e formës optimale fizike për të gjithë futbollistët, në mënyrë që ekipi të jetë në gjendje të përballojë ritmin dhe intensitetin që kërkon niveli ndërkombëtar.

Stafi teknik, në bashkëpunim me përgatitësit atletikë, ka hartuar një program të detajuar dhe të personalizuar për secilin lojtar, duke pasur parasysh ngarkesën, gjendjen aktuale dhe fazën e rikuperimit për ata që kanë pasur shqetësime fizike. Fokusi është i madh si në aspektin aerobik, ashtu edhe në fuqinë shpërthyese dhe qëndrueshmërinë, ndërsa të gjitha seancat stërvitore janë konceptuar për të simuluar situata ndeshjeje.

KRISTALIZIMI I FORMACIONIT – Në këtë fazë të rëndësishme të verës, detyra kryesore e stafit teknik është kristalizimi i formacionit titullar që do të zbresë në fushë në përballjen e parë të Kupave të Europës. Trajneri po shfrytëzon maksimalisht çdo seancë stërvitore dhe ndeshje testuese për të analizuar gjendjen e lojtarëve, përshtatshmërinë taktike dhe harmoninë mes reparteve. Në këtë drejtim, konkurrenca për një vend në formacion është e fortë, ndërsa secili futbollist po kërkon të bindë stafin teknik me paraqitjet e tij. Përballja me Breidablik kërkon një ekip të organizuar, me identitet të qartë loje dhe balancë në të gjitha repartet. Prandaj, kristalizimi i 11-shes startuese konsiderohet si hapi vendimtar për të rritur kohezionin dhe automatizmat brenda skuadrës. Pavarësisht se merkatoja është ende aktive dhe mund të sjellë prurje të tjera, baza e ekipit është tashmë në dispozicion dhe synimi është që në ditët në vijim të krijohet një bosht stabël, mbi të cilin do të ndërtohet strategjia për ndeshjen e parë europiane.

MBROJTËS I DJATHTË – Për një skuadër që synon të ecë gjatë në Kupat e Europës dhe të ruajë statusin e kampiones, forcimi i pankinës është po aq i rëndësishëm, sa edhe cilësia e formacionit titullar. Përgatitjet për sezonin e ri dhe sfidat europiane kanë vënë në lëvizje drejtuesit e Egnatias, teksa trajneri Edlir Tetova ka adresuar një nga nevojat më emergjente të skuadrës: gjetjen e një alternative cilësore për Abdurraman Fangajn në krahun e djathtë të mbrojtjes. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se tekniku ka kërkuar me ngulm që të përforcohet ky pozicion. Fangaj, ndonëse me rendiment konstant dhe rol lideri në prapavijë, ka luajtur pothuajse pa zëvendësues natyral gjatë gjithë sezonit, qoftë në kampionat apo Kupë. Kjo ka sjellë lodhje fizike dhe rrezik dëmtimesh për mbrojtësin shkodran. Tetova kërkon një lojtar me karakteristika të ngjashme: i shpejtë, i disiplinuar taktikisht dhe me aftësi për të kontribuar në sulm në sistemin me tre mbrojtës dhe dy të tjerë në krah. Për momentin, Egnatia ka hedhur sytë nga disa pista, mes tyre lojtarë të Superiores me eksperiencë, por edhe opsione nga jashtë vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb