Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov ka deklaruar se Moska është e vendosur që të mos humbasë avantazhin që ka në luftën ndaj Ukrainës dhe se nuk ka plane për të rënë dakord për një armëpushim me Kievin.

Duke folur në një intervistë për Sky News, Peskov tha se Rusia nuk ka plane të humbasë avantazhin e saj strategjik ndaj Ukrainës dhe sipas tij, Moska s’ka pse ta bëjë një gjë të tillë dhe se Rusia do të vijojë të përparojë.

“Tani kemi një avantazh strategjik. Pse duhet ta humbasim atë? Nuk do ta humbasim. Ne po shkojmë më tej. Ne po përparojmë dhe do të vazhdojmë të përparojmë”, vuri në dukje ai.

Rusia ka deklaruar vazhdimisht se do të pajtohet me një armëpushim vetëm nëse Kievi ndalon marrjen e ndihmës ushtarake nga vendet perëndimore pasi në të kundërtën, një pauzë e luftimeve sipas Moskës do t’i jepte Ukrainës një mundësi për të riarmatosur dhe rigrupuar forcat e saj.

Gjithashtu, Peskov tha se Rusia nuk do të përfitonte nga një armëpushim i mundshëm. “Armëpushimi është armëpushim”, tha ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb