Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar rritjen e fuqisë parandaluese ushtarake të Turqisë, në përgjigje të përshkallëzimit të luftës midis Izraelit dhe Iranit. Në një deklaratë të fundit, ai njoftoi planin për të rritur prodhimin e raketave me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri për mbrojtjen kombëtare.

“Me vullnetin e Zotit, në një të ardhme të afërt, do të kemi një kapacitet mbrojtës aq të fortë sa askush të mos guxojë të veprojë ashpër ndaj nesh,” deklaroi Erdogan.

Ai e diskutoi situatën Izrael-Iran me kancelarin gjerman Friedrich Merz, duke theksuar se “çështja bërthamore iraniane mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave”. Megjithëse Turqia ka një ushtri të madhe, analistët si Ozgur Unluhisarcikli nga Gjerman Marshall Fund theksojnë se mbrojtja ajrore e saj mbetet pika më e dobët.

Në një reagim ndaj deklaratave të Erdogan, Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar e akuzoi atë për “ambicie imperialiste” dhe për shtypje të lirive në vendin e tij.

Ndërkohë, presidenti turk ka ofruar ndërmjetësim për rifillimin e negociatave mbi programin bërthamor të Iranit, duke folur me liderë botërorë për përfundimin e konfliktit. Në Turqi, shqetësimi është rritur mbi ndikimin që një luftë e zgjatur mund të ketë në ekonominë e vendit, për shkak të varësisë nga importet e energjisë dhe mundësisë për rritje të çmimeve e fluks refugjatësh nga Irani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb