Vetëm një numër i kufizuar shtetesh në botë zotërojnë armë bërthamore – ndër to janë Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut. Ndërkohë, besohet gjerësisht se edhe Izraeli ka armë bërthamore, megjithëse ai as nuk e pohon dhe as nuk e mohon këtë.
Por, pse disa shtete lejohen të kenë armë të tilla, ndërsa të tjerat jo?
Përgjigjja qëndron në një marrëveshje ndërkombëtare të vitit 1968, të quajtur Traktati për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Ky traktat u lejon vendeve të zhvillojnë energji bërthamore për qëllime paqësore, por ndalon përhapjen e armëve bërthamore tek shtete të tjera përveç atyre që i zotëronin tashmë në kohën e hyrjes në fuqi të traktatit. Traktati është detyrues në aspektin ligjor dhe është ratifikuar nga shumica e vendeve të botës, përfshirë edhe Iranin.
Nga ana tjetër, Izraeli, India, Pakistani dhe Sudani i Jugut nuk e kanë nënshkruar NPT-në, ndërsa Koreja e Veriut është tërhequr nga traktati pas një kohe pjesëmarrjeje. India dhe Pakistani nuk u njohën si shtete bërthamore në momentin e nënshkrimit të traktatit dhe, nëse do të bashkoheshin sot, do t’u kërkohej të çarmatoseshin. Sudani i Jugut është një shtet i ri që nuk ka ende ndonjë program bërthamor.
Izraeli nuk e ka firmosur traktatin sepse ndjek një politikë të paqartësisë strategjike mbi kapacitetet e tij bërthamore – një lloj strategjie për të krijuar pasiguri tek kundërshtarët. Ai gjithashtu refuzon të lejojë kontrolle ndërkombëtare në objektet e tij bërthamore, siç do të kërkohej nëse do të ishte palë e traktatit.
Irani dhe disa vende arabe prej vitesh kërkojnë që Izraeli të çarmatoset dhe të jetë i hapur mbi arsenalin e tij bërthamor, të cilin e shohin si një faktor destabilizues për sigurinë në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, Irani këmbëngul se nuk ka synuar dhe as synon të ndërtojë armë bërthamore, megjithëse shumë shtete në perëndim e vënë në dyshim këtë pretendim.
Kriza aktuale u ndez në vitin 2002, kur u zbulua se Irani kishte zhvilluar fshehurazi një program bërthamor që nuk ishte deklaruar, gjë që përbënte shkelje të NPT-së. Ky zbulim çoi në një përballje të gjatë diplomatike dhe tensione që vazhdojnë edhe sot./BBC/
