Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), Rafael Grossi, ka paralajmëruar për pasojat e rënda që mund të sjellë një sulm ndaj impianteve bërthamore në Iran, veçanërisht ndaj centralit në Bushehr. “Pasojat e një sulmi të tillë do të ishin jashtëzakonisht serioze. Një goditje direkte ndaj impiantit mund të çojë në çlirimin masiv të materialeve radioaktive në mjedis”, u shpreh Grossi gjatë një fjalimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ai theksoi se një veprim i tillë mund të rezultojë në një katastrofë bërthamore, duke bërë thirrje për “përmbajtje maksimale” nga të gjitha palët e përfshira në konfliktin në Lindjen e Mesme.
Duke iu referuar bombardimeve të fundit izraelite në Iran, Grossi sqaroi se deri më tani nuk është raportuar ndonjë rrjedhje radioaktive, por paralajmëroi se rreziku vazhdon të jetë i pranishëm dhe kërkon vëmendje serioze ndërkombëtare.
“Impiante të tilla nuk duhet të jenë objektiv i sulmeve ushtarake në asnjë rrethanë,” përfundoi ai.
