Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania kremtoi një Ditë Kombëtare për Veteranët e Ushtrisë, një moment historik që synon të njohë dhe nderojë kontributin e miliona burrave e grave që kanë shërbyer në Bundeswehr – ushtria moderne gjermane.
Ceremonitë, të mbajtura më 15 qershor në mbi 60 qytete, përfshinë betime publike, demonstrime ushtarake, ekspozita, dhe aktivitete ndërvepruese me shoqërinë civile. Në Berlin, pranë ndërtesës së Bundestagut, u ngrit një “fshat i veteranëve” që qëndroi në qendër të vëmendjes.
Politikanët më të lartë gjermanë, përfshirë kancelarin Friedrich Merz dhe ministrin e Mbrojtjes Boris Pistorius, theksuan rëndësinë e nderimit të veteranëve. Ata u shprehën se ushtarët që kanë shërbyer, sidomos në misionet në Afganistan, Kosovë, Bosnje dhe Mali, meritojnë respekt, falënderim dhe përfshirje në jetën civile pas shërbimit.
Gjermania e ka shmangur për dekada çdo formë kremtimi që mund të interpretohej si militarist, për shkak të trashëgimisë së saj historike. Por ndryshimet gjeopolitike dhe presioni nga vetë veteranët, sidomos pas misionit në Afganistan, kanë shtyrë vendin drejt një qasjeje më të hapur dhe realiste ndaj ushtrisë.
Në thelb të kësaj qasjeje të re është koncepti i ushtarit si “qytetar në uniformë” – një profesionist që mban përgjegjësi jo vetëm për zbatimin e urdhrave, por edhe për përputhshmërinë e tyre me kushtetutën dhe moralin demokratik.
Festimi i parë kombëtar për veteranët është cilësuar si një hap i vogël simbolik, por me domethënie të madhe në rrugën drejt një tradite të re ushtarake në Gjermani.
Një premierë për Gjermaninë, dita e veteranëve të ushtrisë gjermane. Ç’pamje pati kjo ditë në Gjermani?
…
Auron Dodi: Përshëndetje dhe nga unë. Po, patëm një premierë për Gjermaninë sivjet. Kremtimi i Ditës Kombëtare të Veteranëve është ndryshim historik për Gjermaninë. Gjermania i ka qëndruar larg, deri pak vite më parë, gjithçkaje që mund të interpretohej si shenjë militariste.
U organizuan të dielën (15.06.) aktivitete në të gjithë Gjermaninë, në mbi 60 qendra. Veprimtaritë synuan të shprehnin mirënjohje për rreth 10 milionë ushtare dhe ushtarë që kanë shërbyer në Forcat e Armatosura gjermane, të njohura edhe me emrin Bundeswehr, që prej themelimit të Bundeswehr-it 70 vjet më parë.
Aktivitetet qenë të ndryshme, p.sh. pati ceremoni publike betimi të ushtarëve; pati demonstrime ushtarake; u organizuan vrapime stafetash për të mbledhur donacione; pati p.sh. edhe stenda, ku mund të provoheshin proteza; në Bundestag u hap një ekspozitë.
Aktiviteti kryesor ishte në Berlin, përreth ndërtesës së Rajshtagut. Aty u krijua një “fshat i veteranëve”.
…
A morën pjesë në këtë Ditë të veteranëve politikanët kryesorë gjermanë?
…
Auron Dodi: Po, në disa aktivitete. Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner u shpreh në aktivitetin rreth Rajshtagut se “kjo ditë krijon diçka, që ka munguar prej kohësh: dukshmërinë publike, njohjen dhe respektin për të gjithë ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura të vendit tonë”.
Kurse kancelari Friedrich Merz shkroi në Platformën X, se gratë dhe burrat që shërbejnë ose kanë shërbyer në ushtri meritojnë falenderimin, mirënjohjen dhe respektin tonë”. Merzi tha se “ushtria gjermane është pjesë integrale e shoqërisë sonë”.
Ngjashëm u shpreh në ceremoninë në Hamburg edhe ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius.
…
Kush ka të drejtë të quhet veteran i ushtrisë gjermane, kush ishte pra në qendër të kremtimit?
…
Auron Dodi: Në Gjermani “veteranë” quhen të gjitha ata që janë në detyrë aktive si ushtarë ose që janë liruar me nder nga Bundeswehri, d.m.th. nuk e ka humbur gradën ushtarake. Termi “veteran” u përcaktua në një urdhër dite të vitit 2018 nga ministrja e atëhershme e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen.
Pra kemi një koncept të gjerë, që nuk diktohet nga fakti, nëse ke marrë pjesë apo jo, në misione luftarake.
Kremtimi këtë vit u bë për të kujtuar dhe nderuar në radhë të parë 119 ushtarët, që kanë dhënë jetën, në misione jashtë Gjermanisë, prej vitit 1992: shumica e tyre, 59 vetë janë vrarë në Afganistan. Por edhe në Kosovë dhe në Bosnjë-Herzegovinë kanë dhënë jetën 49 ushtarë gjermanë. Tre ushtarë të tjerë janë vrarë në misionin në Mali.
Fokusi ishte, gjithashtu, te nderimi i mijëra individëve që vuajnë nga probleme shëndetësore fizike, ose nga trauma pas shërbimit ushtarak.
U nderuan edhe ata që angazhohen në shoqërinë civile, pas lirimit nga ushtria. Në këtë kuadër, pati takime midis shoqërisë civile dhe veteranëve – për të përcjellë mesazhin që ushtarët janë jo vetëm “shërbyes të shtetit me uniformë”, por edhe njerëz me përvoja dhe problematika individuale.
…
Çfarë i bëri autoritetet gjermane që të kremtojnë pikërisht tani një Ditë Kombëtare për veteranët e ushtrisë, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore?
…
Auron Dodi: Mendoj se këtu luajnë rol disa faktorë. Në tërësi aktualisht po ndryshon raporti i gjermanëve ndaj gjithçkaje ushtarake. Ky ndryshim është përshpejtuar që pas fillimit të luftës në Ukrainë, në vitin 2022.
Së dyti, në Gjermani është ndezur debat publik për një shërbim të ri të detyrueshëm ushtarak. Ndoshta të nevojshëm, nëse Gjermania nuk arrin të sigurojë me burime vullnetare 60.000 ushtarë shtesë. Këta nevojiten, sipas ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius, për një mbrojtje efektive.
Në këtë kuadër del natyrshëm nevoja për një vlerësim më të mirë të kontributit të ushtarëve. Autoritetet e kanë të qartë, se mund të arrijnë t’i nxitin të rinjtë që të angazhohen në ushtri e të rrezikojnë, po qe puna edhe jetën, vetëm kur të rinjtë binden se ia vlen ta bësh këtë.
Së treti, kremtimi zyrtar i ditës së veteranëve erdhi pasi u shtua presioni nga veteranët, të organizuar vetë në shoqata. Sidomos presioni nga veteranët e Afganistanit.
Deputetët që e propozuan vjet në Bundestag Ditën Kombëtare të Veteranëve, deklaruan se patën në mendje përvojat e ushtarëve gjermanë në Afganistan, në Kosovë e Mali. Vendimin për këtë ditë kombëtare e mbështetën thuajse të gjitha partitë.
…
A mund të mbështetet Gjermania te tradita e kremtimeve për veteranët e ushtrive të mëparshme gjermane?
…
Auron Dodi: Në fakt jo, ose vetëm kushtimisht. Përvojat e veteranëve kanë qenë të domosdoshme edhe për Bundeswehrin, ushtrinë e sotme gjermane, kur u themelua në vitin 1955. Por jo mënyra e nderimit të veteranëve nga ushtritë e mëparshme gjermane. Forcat e sotme të armatosura gjermane u konceptuan si kundërmodel i ushtrive të mëparshme gjermane.
Dihet se për të krijuar ushtrinë e re, vetëm 10 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermanisë iu desh të shfrytëzonte përvojën e shumë ish-veteranëve të Wehrmacht-it. Vetëm kështu, u arrit të krijohet, brenda tri vjetësh, një ushtri me dymbëdhjetë divizione dhe 500.000 ushtarës.
Por veteranët e rinj Gjermania nuk i nderonte dot me modelin e mëparshëm nazist. Historiani i njohur ushtarak Sönke Nötzel, i tha revistës Der Spiegel, se padyshim, modeli nazist për të nderuar veteranët qe shumë efektiv për ideologjinë. Ushtarëve u jepnin medalje, u ngrinin monumente heroike, u bënin nderime publike. Kjo i nxiste ata të sakrifikoheshin edhe për qëllimet ideologjike naziste.
Megjithatë, pas luftës gjermanët u distancuan gjithnjë e më shumë nga e kaluara naziste. Kjo solli aversion edhe për gjithçka ushtarake, edhe për nderimet publike të veteranëve.
Pra, Gjermania po e zhvillon traditën e re për nderimin e veteranëve. Historiani ushtarak Nötzel këshillon përqëndrimin në natyrën ushtarake të profesionit, për t’u ndierë pjesë e një tradite. Në ditaret e ushtarëve gjermanë të Luftës së Dytë botërore dhe të atyre që luftuan në Afganistan, ai ka parë se ushtarët ngjashëm nuk kanë qenë të interesuar thuajse kurrë për skemat e mëdha e gjeopolitikën. Por njësoj, shkruanin për kalimin me sukses të ditës, për përmbushjen me nder të detyrës.
…
A po kërkon Gjermania një traditë të re për nderimin e veteranëve, apo e ka gjetur tashmë?
…
Auron Dodi: Veteranë vetë u shprehën në mediet qendrore gjermane, se Dita Kombëtare e Veteranëve ishte një hap i parë, i nevojshëm. Fokusi në Ditën e parë të Veteranëve ishte te njeriu. Nuk pati p.sh. parakalime me tanke dhe avionë.
Një analist gjerman u shpreh për Ditën Kombëtare të Veteranëve se “mund të mos duket shumë. Por është një hap i madh, larg republikës së vjetër federale, në drejtim të një realizmi të ri.”
Gjithsesi: ushtria e sotme gjermane është krejt e ndryshme nga të mëparshmet. Sot ushtria gjermane i nënshtrohet pushtetit politik dhe kontrollohet nga parlamenti. Ushtari i sotëm gjerman është “qytetar në uniformë”: ai mund të bëhet p.sh. edhe anëtar partish. Synimi është që ai të mos zbatojë verbërisht urdhërat, por në rast nevoje edhe t’i kundërshtojë, kur i konsideron ato antikushtetuese. Pra edhe të mendojë për atë që bën. Ky është thelbi i asaj që quhet “udhëheqje e brendshme” e ushtarit në Bundeswehr, një kuadër referencë për sjelljen morale të ushtarit.
