Jahti luksoz “Bayesian”, i cili u mbyt në Porticello, Palermo, natën e 19 gushtit 2024, është nxjerrë më në fund nga uji pas 10 muajsh nga vinçat gjigantë Hebo Lift 10 dhe 2.

Të premten, mjeti lundrues ishte sjellë në sipërfaqe për të lejuar vendosjen e litarëve shtesë që do të ndihmonin në tërheqjen përfundimtare. Mëngjesin e sotëm, trupi i anijes është nxjerrë plotësisht nga deti dhe për herë të parë do të jetë i dukshëm pas gati një viti.

Menjëherë pas kësaj, do të nisin operacionet për zbrazjen e ujit të mbetur brenda, proces që do të ndihmojë në vlerësimin e gjendjes së mjetit pas ngjarjes.

Në zonën përreth vendit të operacionit të shpëtimit, janë pozicionuar disa mjete lundruese të Gardës Detare për të siguruar perimetrin dhe për të kontrolluar nëse ka ndonjë rrjedhje karburanti nga anija.

Në terren janë edhe ekspertët e Agjencisë Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit (ARPA), të cilët po përdorin dronë me teknologji infra të kuqe për të kapur edhe ndotjen më të vogël potenciale.

Në një nga motovedetat kanë mbërritur prokurori Raffaele Cammarano, i cili po drejton hetimet, së bashku me ushtarakë të Gardës Detare që kanë qenë të përfshirë në hetimin e ngjarjes.

Shtylla e jahtit “Bayesian”, e gjatë 72 metra, ishte prerë ditë më parë për të lehtësuar operacionin e shpëtimit dhe ndodhet ende në fund të detit. Ajo pritet të nxirret mesditën e së dielës ose të hënën në mëngjes, për t’u transportuar më pas në portin e Termini Imerese.

***

Ngjarja e rëndë ndodhi në muajin gusht 2024, kur superjahti luksoz britanik The Bayesian, në pronësi të manjatin britanik të teknologjisë Mike Lynch, u fundos papritur në brigjet e Siçilisë, në ujërat e Mesdheut. Në bord ndodheshin 22 persona, por fatkeqësisht shtatë prej tyre humbën jetën, mes tyre edhe vetë pronari Mike Lynch dhe vajza e tij 18-vjeçare.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb