Nga: SONILA MUSAJ*
TIRANE – Dy efektivët e Forcave Operacionale të Policisë së Shtetit, Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj, kanë apeluar masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit. Ata u lanë në “Arrest shtëpie” nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë për dyshime mbi përgjime të paligjshme me pajisjen “IMSI CATCHER”. Kërkesa është depozituar në Gjykatën e Apelit dhe kjo gjykatë pritet të shprehet më datë 29 qershor. Më datë 07.06.2016, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata e Tiranës vendosi masën ndaluese “Pezullim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, për konsumimin e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisjeje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit. Por Drejtori i Policisë së Shtetit u rikthye në detyrë pas apelimit të këtij vendimi.

Sakaq, po me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion Drejtor i Forcave Operacionale (F.O) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë F.O, të dy të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Prokuroria e Tiranës, në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshon se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi. Prokuroria e Tiranës po merret ndërkohë me hetimet, për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë.

Në lidhje me këtë pajisje përgjimi, edhe vetë Drejtori i Policisë së Shtetit e ka pranuar ekzistencën e saj, dhe gjatë marrjes në pyetje në prokurori ka pranuar se me anë të kësaj pajisjeje është bërë identifikimi i personave me rrezikshmëri për shoqërinë. Gjithashtu, prokuroria ka sekuestruar serverin qendror të kamerave të sigurisë në ambientet e Forcave të Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, ku mësohet se në server ka ndërhyrje. Gjithashtu, prokuroria ka sekuestruar edhe kamerat e Bashkisë së Tiranës, për të verifikuar lëvizjet e automjetit në të cilin mbahej pajisja e shumëpërfolur “IMSI CATCHER”.

Sipas burimeve, prokuroria nga ana e saj ka dyshime edhe për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjesëtarët e grupit trajnues, pasi pas urdhrit për sekuestrimin e pajisjes, e cila dyshohej se ishte në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, automjeti me pajisjen që ndodhej më datë 13.05.2016, është larguar nga ky ambient rreth orës 12:00 të po kësaj dite. Sipas prokurorisë, fakti që mjeti, së bashku me pajisjen ka lëvizur të paktën dy herë nga një specialist shqiptar, është një prej arsyeve që e ngarkon me përgjegjësi edhe titullarin e Forcës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: