Sulmet ajrore të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara gjatë fundjavës në Iran ka të ngjarë të kenë shkaktuar dëme “shumë të konsiderueshme” në pjesët nëntokësore të centralit bërthamor Fordow, një nga objektet më të mbrojtura të programit bërthamor iranian. Lajmi është konfirmuar nga kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi.
“Duke pasur parasysh ngarkesën shpërthyese të përdorur dhe ndjeshmërinë ekstreme të centrifugave ndaj dridhjeve, pritet të kenë ndodhur dëme të mëdha në strukturat nëntokësore të objektit,” deklaroi Grossi të hënën në një takim të jashtëzakonshëm të bordit të guvernatorëve të IAEA-s në Vjenë.
Centrali Fordow është ndërtuar thellë brenda një mali në veri të Iranit dhe është konsideruar një nga pikat më të fortifikuara të infrastrukturës bërthamore të vendit. Sipas burimeve ndërkombëtare, bombardimi amerikan u krye në orët e para të së dielës, përmes një operacioni të koordinuar që përfshiu gjashtë bombardues B-2, të cilët hodhën 12 bomba të specializuara për objektiva në thellësi.
Megjithatë, Grossi nënvizoi se vlerësimi i saktë i dëmeve është ende i pamundur:
“Asnjë grup, përfshirë IAEA-n, nuk ka aktualisht akses në objekt për të verifikuar gjendjen reale të dëmeve.”
