Mes tensioneve të thelluara në Lindjen e Mesme, ushtria izraelite ka njoftuar se ka ndërmarrë një valë sulmesh ajrore ndaj gjashtë aeroporteve ushtarake në rajonet perëndimore, lindore dhe qendrore të Iranit.
Sipas një deklarate zyrtare të shpërndarë nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), nga këto sulme janë shkatërruar 15 mjete fluturuese – përfshirë avionë dhe helikopterë – si dhe janë dëmtuar rëndë pista uljeje, depo nëntokësore, një avion furnizimi dhe disa avionë luftarakë të tipit F-14, F-5 dhe AH-1, në pronësi të forcave ajrore iraniane.
“Avionët e neutralizuar ishin përgatitur për të ndërmarrë operacione kundër Forcave Ajrore izraelite dhe synonin të pengonin aktivitetin tonë mbi territorin iranian,” thuhet në komunikatën zyrtare.
IDF konfirmon gjithashtu se si pasojë e këtyre sulmeve, janë pezulluar përkohësisht aktivitetet në aeroportet ushtarake të goditura, duke ndikuar në aftësinë operacionale të forcave ajrore iraniane në këto zona.
