Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se Shqipëria ka arritur në një moment kyç, pasi këtë vit pritet të hapen të gjithë grupkapitujt për negocim me Bashkimin Evropian.

Ambasadori Gonzato e konsideroi këtë një mundësi që Shqipëria të modernizojë institucionet e veta dhe të fuqizojë demokracinë.

Në aktivitetin e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë për prezantimin e portalit e-Legjislacioni, ambasadori Gonzato u ndal te roli i Delegacionit të BE-së për të mbështetur Shqipërinë në këtë proces.

“Ne kemi një projekt për të ndihmuar Kuvendin në të gjitha këto çështje që do të jetë ‘BE për demokracinë’. Ky program i rëndësishëm do të përqendrohet te qeverisja dhe menaxhimin, përmirësimi i mekanizmave negociues dhe fuqizimin e shoqërisë civile dhe medies”, tha ai.

Duke folur për portalin e-Legjislacioni, Gonzato vlerësoi se përveç këtij instrumenti Kuvendi ka marrë përsipër edhe një sërë instrumentesh të tjera si ai për të krijuar parlamentin e hapur.

“Një masë tjetër është fuqizimi i transparencës dhe llogaridhënies, për shembull krijimi i një sistemi zbardhjeje për seancat e komisioneve dhe ato plenare si dhe transmetimi në kohë reale dhe regjistrimi audiovizual”, tha ai.

Ambasadori u ndal edhe te përmirësimi i platformës konsultative për ta bërë atë më cilësore dhe më të aksesueshme.

Po ashtu, ai vlerësoi angazhimin e Kuvendit për të pasur standarde më të mira etike, për t’u marrë me çështje të ndryshme si me Kodin e Etikës për deputetët dhe përmirësimin e kapaciteteve administrative.

“Të gjitha këto masa do të përmirësojnë transparencën dhe llogaridhënien, integritetin dhe efektivitetin e Kuvendit. Në këtë formë edhe besimi i qytetarëve do të jetë edhe më i fortë tek institucioni. Në fakt ky institucion duhet të ketë të gjithë burimet e duhura financiare. Kjo është kyçe për të siguruar që kemi pavarësinë e këtij institucioni si dhe kapacitetin e tij për të vlerësuar legjislacionin, por edhe për të kërkuar llogari në mënyrë që Kuvendi të luajë rolin e vetë kyç gjatë negociatave me BE-në”, shtoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb