Kuvendi i Shqipërisë prezantoi portalin e-Legjislacioni, ndërtuar me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe financuar nga Qeveria e Zvicrës, në një aktivitet ku morën pjesë ambasadorë, deputetë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, e cila theksoi rëndësinë e kësaj nisme për modernizimin e shërbimeve parlamentare përmes platformës e-Legjislacioni. Ajo e konsideroi këtë hap një kapitull të ri në mënyrën se si hartohen, diskutohen dhe miratohen ligjet, si dhe një mjet për të ndërtuar ura komunikimi ndërinstitucional dhe për të vënë teknologjinë në funksion të demokracisë.

“Me këtë platformë, ne hapim një kapitull të ri për mënyrën se si hartojmë, diskutojmë dhe miratojmë ligjet. Kemi ndërtuar një mjet për modernizimin dhe digjitalizimin e procesit më të rëndësishëm parlamentar – ligjbërjen – si kontribut për transformimin demokratik të shoqërisë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nuk po miratojmë thjesht përdorimin e një teknologjie të re, por një cilësi të re të procesit legjislativ. E-Legjislacioni është më tepër se një program kompjuterik. Është zbatimi i një vizioni të ri për një proces më cilësor, më efektiv, më të hapur, më të aksesueshëm dhe më të besueshëm. Po hedhim një hap të ri për të afruar qytetarët me Kuvendin, për të ndërtuar ura komunikimi ndërmjet institucioneve dhe për të vendosur teknologjinë në funksion të demokracisë. Për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë do të kemi akte ligjore të konsoliduara, që përmbajnë të gjitha ndryshimet ndër vite, në një version të vetëm e me qasje për të gjithë. Kjo do të mbështetet nga një proces i avancuar kërkimor, përmes metadatave të shënjuara sipas standardeve më të sofistikuara ndërkombëtare për hartimin e dokumenteve ligjore,” u shpreh znj. Spiropali.

Ajo theksoi se ky sistem i ri, për herë të parë në Shqipëri, e bën procesin legjislativ jo vetëm më transparent, por edhe më gjithëpërfshirës.

“Platforma u jep mundësi grupeve të interesit dhe qytetarëve të ndjekin dhe kontribuojnë në procesin legjislativ nga faza e hartimit e deri në miratimin në Kuvend, duke përmbushur standardet e një parlamenti evropian.”

“Është kjo një mënyrë për të ndërtuar besim dhe për t’u thënë qytetarëve: ‘Ne jemi këtu, po ju dëgjojmë! Dhe jo për çështje dytësore, por për thelbësoren – hartimin e ligjeve.’”

Në kontekstin e përshpejtimit të integrimit në Bashkimin Evropian, Spiropali e cilësoi këtë platformë si një dëshmi konkrete të angazhimit për ndërtimin e institucioneve më efikase dhe më të hapura, në përputhje me praktikat më të mira europiane.

“Portali e-Legjislacioni është një përballje konkrete me sfidën e modernizimit të Kuvendit, në drejtim të standardeve të një vendi anëtar të BE-së.”, u shpreh Spiropali.

Takimi u përshëndet nga zMichel Tarran, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, znj. Ruth Huber, Ambasadore e Zvicrës në Shqipëri, dhe Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri.

Të tre vlerësuan nismën si një hap domethënës në rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në legjislacion, dhe një shembull i reformës digjitale në rajon.

“Duke përqafuar e-Legjislacionin, Shqipëria i bashkohet një numri në rritje vendesh që kanë miratuar këto sisteme dhe pozicionohet si lidere rajonale në reformën dixhitale legjislative,” – tha Ambasadori Tarran.

“Mbështetja e Zvicrës synon një proces ligjbërës më të hapur, më modern dhe më të përgjegjshëm përmes mjeteve dixhitale,” – theksoi Ambasadorja Huber.

“Kuvendi ka ndërmarrë një sërë instrumentesh për një Parlament të Hapur, që përmirësojnë transparencën, integritetin dhe besimin qytetar,” – tha Ambasadori Gonzato.

Takimi vijoi me prezantimin e Eric Filipink, ekspert i OSBE-së, mbi “Forcimin e qeverisjes përmes legjislacionit elektronik: Progresi dhe rruga përpara për lidershipin parlamentar në Shqipëri.” Ai paraqiti një panoramë të arritjeve dhe hapat e ardhshëm për integrimin e plotë të legjislacionit elektronik deri më 2028.

Më pas, në një video-mesazh, Monica Palminari nga Universiteti i Bolonjës vlerësoi progresin e Kuvendit dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së inteligjencës artificiale në procesin legjislativ dhe ndërveprimin ndërinstitucional në të ardhmen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: