Deputetja e PD, Jorida Tabaku shprehet se sektorët e mëkëmbjes ekonomike si bujqësia, industria por edhe turizmi janë në rënie në treguesit e tyre.

E vetmja rritje, tha Tabaku, është punësimi në shtet. “Kjo është një ekonomi që fryhet nga lart por shkretohet nga brenda”, tha Tabaku.

Ligjvënësja demokrate vuri në dukje se largimi i qytetarëve dhe varfërimi i familjeve ka sjellë si pasojë rënien e konsumit.

“Konsumi ka rënë. Turistët nuk mund të kompensojnë largimin e qytetarëve tanë dhe varfërimin e familjeve shqiptare. Ekonomia nuk mbahet me pushues sezonalë, por me një popullsi që punon, prodhon dhe konsumon”, shton ajo.

Postimi i Tabakut
Një ekonomi që nuk punon për qytetarin

Shqipëria po jeton një rritje ekonomike artificiale, të mbështetur vetëm nga rritja e punësimit në shtet, ndërkohë që bujqësia, industria dhe sektorët e tjerë janë në rënie. Kjo është një ekonomi që fryhet nga lart por shkretohet nga brenda.

Konsumi ka rënë. Turistët nuk mund të kompensojnë largimin e qytetarëve tanë dhe varfërimin e familjeve shqiptare. Ekonomia nuk mbahet me pushues sezonalë, por me një popullsi që punon, prodhon dhe konsumon.

Qeveria socialiste ka ndërtuar një model të paqëndrueshëm dhe pandershëm:
– Rritje artificiale nga pagat në shtet
– Tkurrje e sektorëve realë
– Varësi nga turizmi
– Shpopullim dhe rënie e konsumit

Prandaj ne propozojmë një model ndryshe: një ekonomi që mbështet prodhimin vendas, investon në bujqësi dhe industri, lehtëson barrën për sipërmarrjen dhe rikthen dinjitetin e punës dhe konsumit për çdo familje shqiptare.

Kriza e xhepave nuk është rastësi – është pasojë direkte e qeverisjes socialiste. Një qeveri që ka përqafuar klientelizmin, ka braktisur prodhimin, dhe që i shërben vetëm një pakice. Ndaj kemi këtë krizë: sepse për 12 vite nuk u ndërtua ekonomi, por fasadë për propagandë.

Shqipëria ka nevojë për më shumë sesa rritje në letër. Ka nevojë për zhvillim të vërtetë, që prek jetën e përditshme të çdo qytetari.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb