Policia e Sarandës po vijon prej 24 orësh një operacion për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes së një skafi në brigjet greke. Mjeti lundrues dyshohet të jetë vjedhur në Igumenicë dhe pas informacioneve operative të mbërritura, policia e Sarandës ka arritur ta gjejë atë.
Skafi është gjetur dhe sekuestruar në fshatin Gjashtë të Sarandës, ku ishte transportuar me kamion, pasi ishte nxjerrë më parë nga deti me vinç.
Policia mësohet se ka identifikuar dhe kapur drejtuesin e vinçiz. të riun E. D nga fshati Gjashtë.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, pas kallëzimit të bërë në Komisariatin e Policisë Sarandë nga një shtetas grek, i cili kallëzoi se më datë 28.06.2025, gjatë natës, në Korfuz (Greqi) i ishin vjedhur dy mjete lundruese (gomone dhe skaf), dhe kishte dyshime se këto mjete ishin trafikuar në territorin shqiptar, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Silent Crossing”, si rezultat i të cilit:
U arrestua në flagrancë shtetasi D. D., 23 vjeç, banues në Gjashtë, Sarandë.
U shpallën në kërkim shtetasit D. J., 48 vjeç, banues në Sarandë, A. J., 24 vjeç, banues në Sarandë, dhe A. K., 48 vjeç, banues në Tepelenë.
Nga veprime hetimore të kryera nga grupi hetimor i ngritur për këtë rast, rezultoi se këta katër shtetas kanë vjedhur në ishullin e Korfuzit dy mjete lundruese, konkretisht një skaf dhe një gomone, të cilat më pas i kanë trafikuar në Shqipëri, në qytetin e Sarandës.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të këtij operacioni, u gjet i fshehur njëri prej mjeteve lundruese, në një parcelë në fshatin Vrion, Finiq, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një mjet kamion të dyshuar se është përdorur për transportimin e mjeteve nga bregdeti në drejtim të parcelës.
Vijojnë veprimet për kapjen e personave të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe dokumentimin ligjor të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
